Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për dy të dyshuarit E.H nga fshati Mihaliq i komunës së Vushtrrisë, dhe F.Z nga Vushtrria, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Grabitja” nga neni 317, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit E.H dhe F.Z, me datën 10.07.2019, rreth orës 09.20 në Vushtrri, duke vepruar së bashku, me përdorimin e forcës dhe me kanosje serioze për të sulmuar jetën personit tjetër, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër, me qëllim që vetes ti sjellin dobi pasurore të kundërligjshme.

Dy të dyshuarit të pajisur me maska kanë hyrë në një filial të transferimit të parave, ku dëshmitares/të dëmtuarës F.F, të dyshuarit i kanë kërkuar para, ku i dyshuari E.H i cili ka pasur të veshur jakne të gjelbër dhe duke mbajtur dorën e majtë në xhepin e majtë të jaknës dhe duke drejtuar dorën me jakne në drejtim të dëmtuarës, duke dhënë shenjë se ka armë, fillimisht i ka bërtitur të dëmtuarës për ti dhënë para, pastaj ka hyrë në arkë dhe nga aty ka marrë para në vlerë prej 250 €, si dhe ia ka hapur të dëmtuarës çantën duke i marrë portofolin, ndërkaq i dyshuari tjetër F.Z ka qëndruar brenda lokalit duke bërë roje.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur sot me datë 12 korrik ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar dy të dyshuarve të cilët kanë qenë në ndalim nga data 10 korrik, masën e paraburgimit prej një (1) muaji.