Lokale - eSIMy

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e rregullt në të cilën ka shqyrtuar situatën e sigurisë dhe gjendjen me pandeminë Covid-19 në komunë dhe gjendjen e pyjeve, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi nënshkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, ka shqyrtuar raportin e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe FSK-së për gjendjen e sigurisë në Podujevë; gjendjen me pandeminë Covid-19, gjendjen e pyjeve të djegura nga zjarret dhe gjendjen në sektorin e arsimit për përgatitjet e vitit të ri shkollor.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës, raportoi Komandanti i Stacionit të Policisë, Major Nijazi Jashari, i cili tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë dhe stabile.

Jashari duke raportuar për gjendjen e sigurisë tha po vazhdohet me planin operativ për respektim të masave anti-covid, dhe sigurisë në komunikacion. Ai tha që gjatë muajit gusht deri më 15 shtator janë shqiptuar rreth 900 gjoba, që kanë të bëjnë me mos respektim të masave kufizuese dhe sigurisë së trafikut.

Gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e vlerësuan të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së.

Lidhur me gjendjen me pandeminë Covid-19 raportoi drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu, i cili tha javën e fundit gjendja është duke u përmirësuar, duke rënë numri i të infektuarëve dhe duke u rritur numri i të shëruarëve.

Drejtori Veliu tha se deri tani në Komunën e Podujevës kemi 6,349 persona të shëruar, 435 persona aktiv dhe 69 eksitus (vdekje), ai theksoi se në qendrën e vaksinimit procesi po ecën mirë me të vaksinuar duke bërë kështu që në nivel të vendit Komuna e Podujevës të jetë ndër të parat sa i përket numrit të vaksinuarve, ku rreth 850 qytetarë po vaksinohen gjatë ditës.

Lidhur me hapjen e fushatës politike, Veliu bëri apel që partitë politike të respektojnë masat anti-covid dhe të jenë mjaft vigjilent në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.Lidhur me gjendjen në Arsim raportoi drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu, i cili tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor, theksoi se kanë kontraktuar edhe kompaninë për dezinfektimin e shkollave dhe kanë siguruar çështjen e transportit.

Gjithashtu drejtori Fetahu përmendi intervenimin me rrethoja në 20 shkolla që ndikon në rritjen e sigurisë së nxënsëve.

Për situatën e pyjeve raportoi drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vigan Salihu, i cili tha nga rojet e pyjeve për prerje ilegale janë ngritur 175 fletëparaqitje, prej tyre, 11 penale dhe 164 kundërvajtëse, janë realizuar 3 revizione pyjore – Bradash, Sllatinë dhe Tërrnavicë, janë lëshuar 164 leje për prerje pylli në prona private.

Drejtori Salihu tha se në bashkëpunim me Agjencionin Pyjor të Kosovës (APK) do të pyllëzohen 15 ha në Murgull, 10ha në Revuçë. Për vitin 2022 janë paraparë 30 ha në Tërrnavicë./Llapi.info

May be an image of 1 person and indoor
May be an image of 1 person
May be an image of 3 people, people standing and indoor