Vjosa Osmani ka bërë të ditur se më nuk është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe se po e shqyrton mundësinë e themelimit të një Iniciative Qytetare, raporton Mediafokus.info.
Megjithëse nuk tha se me kë do të rrugëtojë në rrugën e re politike, Mediafokus.info merr vesh se Osmani nuk është e vetme.
Burime të Mediafokus.info kanë bërë të ditur se nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri dhe ish-nënkryetarja e partisë, Vjosa Osmani, para disa ditësh, në njërin nga lokalet e Prishtinës, kanë mbajtur një takim disaorësh, për t’i harmonizuar qëndrimet rreth rrugës së re politike, por pa LDK’në.
Haziri e Osmani, që janë dy figurat më të rëndësishme të LDK’së, pritet ta dridhin partinë më të vjetër të Kosovës, kur edhe, siç merret vesh, pritet ta bëjnë publike dyshen udhëheqëse të iniciativës së re qytetare.
Kryekuvendarja Osmani tha të martën se kanë raporte shumë të mira me Hazirin, derisa në takimin e parë që e zhvilloi pas zgjedhjes në këtë pozitë, e përgëzoi të parin e Gjilanit që e bëri të mundur koalicionin LDK-VV.
“Falëmnderit kryetar që e kreve punën e koalicionit. Mos t’kishe qenë ti, nuk pat me u kry”, i tha ajo Hazirit, në takimin që ishte zhvilluar në zyrën e këtij të fundit, në Gjilan, shkruan Mediafokus.info.
E Haziri, që prej kohës kur është nominuar si kandidate për kryeministre nga radhët e LDK’së, është kujdesur të flasë në vazhdimësi në superlativ për “Nusën e Preshevës”.
“Nuk është marre me u rreshtu pas një gruaje. Përkundrazi, në rastin e Vjosa Osmanit është për mburrje. Beso!”, ka qenë njëri nga postimet e Hazirit, në profilin e tij në Facebook.
Historiku i raporteve Haziri-Osmani
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, merret vesh se Haziri ka këmbëngulur që Osmani ta ketë numrin meritor, në dhjetëshen e parë, ku edhe për herë të parë fitoi ulëse.
Osmani ia kheu ‘borxhin’ Hazirit, kur në në një tubim elektoral të vitit 2013, e kishte përkrahur fort.
“Dardania kurrë nuk e ka tradhëtuar vizionin rugovian që po e mbron fuqishëm Lutfi Haziri. Duhet ta votoni njeriun që e kishte besimin e presidentit Rugova që të udhëheqë me pozitat më të larta të shtetit. Qytetarët e Gjilanit nuk e meritojnë të udhëhiqen nga këta njerëz që po e keqpërdorin paranë publike. Unë ju them se kur Lutfi Haziri thotë diçka, e mban fjalën. Ai ka fituar çdo betejë, do ta fitojë edhe garën më 3 nëntor. Jam e bindur se nuk do të keni nevojë me dalë për herë të dytë sepse z. Haziri do të fitoj pa balotazh”, kishte deklaruar Vjosa Osmani-Sadriu më 13 tetor 2013, që në atë kohë ishte deputete e Kuvendit të Kosovës, shkruan Mediafokus.info.
Por, ata nuk i kanë pasur gjithmonë raportet e mira. Madje, më 11 shtator të vitit 2018 kishin polemizuar ashpër mes vete, nga distanca.
Acarimi i raporteve u ‘fashit’ shpejtë dhe sot duket se do të rrugëtojnë bashkë, por jashtë partisë më të vjetër parlamentare të Kosovës.
Deri sot, nënkryetari i LDK’së nuk e ka thënë asnjë fjalë. Mediafokus.info merr vesh nga burimet se Lutfi Haziri pritet të deklarohet këto ditë rreth të ardhmes së tij politike.
Deri në këtë moment, vetëm deputeti Haxhi Avdyli e ka konfirmuar se do të largohet nga LDK për t’iu bashkuar nismës së re politike.
Përndryshe, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ishte kumbara i koalicionit LDK-VV, ka qenë kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti, ndërkohë që pak para se të zyrtarizohej si kryeministër, theksoi se nuk i beson Qeverisë Hoti.
“Kohëve të fundit jam më pak i angazhuar, sepse po ndërtohet një qeveri të cilës unë nuk i besoj. Një qeverie që i kam besuar më shumë, nuk arriti suksesshëm me e përballu mandatin”, ka thënë Haziri për Mediafokus.info, më 2 qershor 2020.
Po ashtu, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së, ai ka votuar kundër shkarkimit të Vjosa Osmanin nga pozita e nënkryetares së partisë.