Lokale - eSIMy

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe tek memoriali i familjes Bogujevci dhe Duriqi me rastin e 22 vjetorit të masakrës në Podujevë, raporton Llapi.info.

Nga Podujeva, Osmani është zotuar se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për çdo civil të vrarë nga pushtuesit serbë.

Në një adresim për gazetarë, Osmani ka deklaruar se pikërisht krimet dhe gjenocidi mbi popullin shqiptar, siç ka thënë ajo, janë dëshmi se qëllimi i Serbisë ka qenë shfarosja e tyre.

“Krimet që i ka kryer Serbia në çdo cep të Kosovës janë akoma dëshmi e gjallë se qëllimi i Serbisë ishte shfarosja e popullit tonë. S’ka dëshmi më të fuqishme për të dëshmuar gjenocidin që ka ndodhur se sa vrasja e fëmijëve, grave dhe njerëzve të pafajshëm, të cilët të vetmin faj e kishin se ishin shqiptarë. Prandaj, ne nuk do të rreshtim kurrë së kërkuar drejtësi, nuk do të ndalemi së qeni zëri i juaj, zëri i secilit prind që ka humbur fëmijën e vetë në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetin tonë. Jemi bashkë jo vetëm sot, por do të jemi gjithmonë bashkë me ju. Vetëm së bashkuari arrihet drejtësia. Nuk do të lëmë gurë pa lëvizur në mënyrë që drejtësia të vihet në vend”, është shprehur Osmani.

Homazhe pranë këtij memoriali ka bërë edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka shtuar se Kosova nuk do t’i harrojë asnjëherë krimin dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve.

 “Jemi këtu për të përkujtuar masakrën e tmerrshme të 28 marsit të vitit 99, ndaj familjes Boguejvci dhe Duriqi. Ne kurrë nuk do t’i harrojmë krimin dhe gjenocidin që na ka ndodhë. Sa herë vijmë këtu na kujtohet se sa i shtrenjtë ka qenë çmimi që e kemi paguar për lirimin e Kosovës. Kjo është një masakër ku shumica e të vrarëve janë fëmijë dhe gra. Kjo tregon për mizorinë e pashembullt të shtetin serb dhe për masat e gjenocidit ndaj popullit dhe kombit tonë, duke mos i kursyer as foshnjat, fëmijët, gratë e pleqtë. Pikërisht për këtë pikëllim që kurrë nuk do të hiqet, na bën më të vendosur që t’i shkojmë deri në fund drejtësisë dhe ta kërkojmë atë. Të gjithë martirët e rënë prehen të qetë vetëm atëherë kur drejtësia të vije në vend”, ka thënë ai./Llapi.info