Lokale - eSIMy

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë nesër në protestën e organizuar nga Vetëvendosje.

Këtë ajo e ka konfirmuar përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ku ka shkruar se arsyetimi se pse ajo po i bashkëngjitet Vetëvendosjes në protestë është se sipas saj tendenca për ndryshim kufijsh e rrezikon qenësinë e shtetit të Kosovës.

Theksojmë se përveq Osmanit, në këtë protestë pritet të dalë edhe deputeti tjetër i LDK-së, Haxhi Avdyli.

Ky është postimi i plotë i Osmanit në Facebook:

Sot, nesër dhe çdo ditë tjetër
PROTESTOJ
kundër ndarjes dhe zhbërjes së shtetit të Kosovës

– Sepse tendenca për ndarje dhe për ndryshim kufijsh e rrezikon vetë qenësinë e shtetit të Kosovës, dhe kur rrezikohet të zhbëhet shteti, e kemi detyrim qytetar t’i themi JO.
– Sepse shpërblimi i Serbisë me tokë të Kosovës, kur asnjë lider serb nuk ka kërkuar falje për mijëra të vrarë, përfshirë shumë fëmijë, shumë të zhdukur, qindra mijëra shtëpi të shkatërruara e mbi 1 dekadë të regjimit represiv serb, nuk duhet të pranohet.
– Sepse kur shteti është në rrezik, nuk duhet të kenë më rëndësi ideologjitë, partitë apo dallimet e tjera. Të gjithë e kemi vetem një atdhe.
– Sepse po heshtëm tani, viktimat e luftës dhe të pasluftës në veriun e vendit nuk do të jenë të qetë në varret e tyre – sepse ata u vranë në tokat që sot disa po i quajnë ‘dhuratë nga Rankovici’;
– Sepse po heshtëm tani, do të vdesë shpresa e çdo qytetari të veriut i cili është refugjat në vendin e tij;
– Sepse për të qenë shtet, Kosovës nuk i duhet vula e Serbisë; sepse shteti ynë ka vulën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë; por mbi të gjitha, shtetësia jonë është vulosur nga sakrifica shumë-vjeqare e popullit tonë;
– Sepse për Presidentin dhe bashkëbiseduesit e tij është në pyetje vetëm kariera e tyre politike, por për ne është në pyetje e ardhmja e fëmijëve tanë.
Dhe për këtë, do të protestojë jo vetëm me 29 shtator, por çdo ditë nëse është nevoja.