Lokale - eSIMy

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, nuk është prezente në mbledhjen e Kryesisë së partisë, e cila ka nisur para pak kohësh, ku po diskutohen emrat e ministrave të rinj të qeverisë Hoti, e cila pritet të hidhet nesër në votim, shkruan Gazeta Blic.

Burime të Gazeta Blic brenda takimit, kanë bërë të ditur se kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, nuk është prezente në mbledhje, duke mos dhënë detaje tjera.

Në anën tjetër, Blic, raportoi për emrat e ministrave që janë duke u diskutuar në mbledhje të kryesisë së LDK-së.

Këta emra që janë propozuar që pritet të jenë ministra nga LDK, pritet të hidhen në votim në Kryesinë e partisë, në mënyrë që të mund të kalojnë si të tillë.

Burimet e Gazeta Blic, bëjnë të ditur se për zv.kryeministër është propozuar Driton Selmanaj, për ministër të Mbrojtjes, Anton Quni, Valbin Krasniqi është propozuar të udhëheq me ministrinë e Shëndetësisë, Hykmete Bajrami me atë të Financave dhe emri i Arban Abrashit është propozuar si ministër i Infrastrukturës.

Po ashtu, ekskluzivisht për Gazeta Blic, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se ajo nuk pajtohet me formimin e një qeverie të re, pa shkuar fillimisht në zgjedhje të reja.

Ajo thotë se në kohën aktuale, zgjidhja më e duhur do të ishte formimi i një qeverie tranzitore dhe gjithëpërfshirëse.