Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së është deklaruar pasi nga Qeveria e Kosovës konfirmuan se veteranëve të UÇK-së u është dërguar propozimi nga kryeministri Albin Kurti, lidhur me kërkesat e tyre për përfshirje në pagën minimale.

Kreu i ekzekutivit ka propozuar që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare, raporton Indeksonline.

Kurse Klinaku thotë se, deri sa të bëhet ligj i ri, vlen ligji i vjetër, pra duhet të rritet paga minimale në Kosovë e krahas saj edhe beneficioni i veteranit që lidhet me të.

“Meqë zëdhënësi paska treguar në media se çfarë kanë sjellur te ne si propozime nga kryeministri Kurti, po e theksoj këtë: Aplikimi, vlerësimi dhe verifikimi i veteranëve është bërë mbi bazë të ligjit. Për çdo shkelje të ligjit janë organet kompetente, dhe pas thirrjeve tona, ka filluar proces gjyqësor dhe lënda është në gjykatë. Deri sa të bëhet ligj i ri, vlen ligji i vjetër, pra duhet të rritet paga minimale në Kosovë e krahas saj edhe beneficioni i veteranit që lidhet me të. Ligj i ri për vlerësim e verifikim, përveç dosjeve që janë në prokurori e nuk ka se si bëhet, është edhe ndërhyrje në procesin gjyqësor. Por, pasi ta shqyrtojmë, gjithsesi do t’i kthejmë përgjigje me shkrim”, ka shkruar Klinaku në Facebook.

“Kryeministri Kurti tashmë i ka përcjellë propozimin e tij me shkrim Ushtruesit të Detyrës së Kryetarit të OVL të UÇK-së, z. Klinaku.

Në këtë letër, Kryeministri Kurti propozon që menjëherë dhe bashkërisht të fillojë hartimi i një ligji të ri, i cili e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare. Hartimi i ligjit dhe procesi i verifikimit të kryhet në një kohë sa më të shpejtë. Ndërkohë, derisa të përfundojë ky proces, si mbështetje shtesë, kryeministri Kurti propozon përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar.

Ne besojmë se me këtë propozim sigurohemi që të kemi një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, duke i bërë nder luftës dhe sakrificës së popullit tonë dhe duke mundësuar një trajtim të dinjitetshëm atyre që dhanë kontributin e tyre në çlirimin e vendit.

Alternativë ndaj këtij propozimi të Kryeministrit Kurti mbetet zbatimi i ligjit në fuqi për kategorizimin e veteranëve, i cili në momentin e miratimit, nga çfarë kemi kuptuar në takimin e qershorit, ka pasur edhe mbështetjen e OLV të UÇK-së.

Të dy alternativat do të zhvilloheshin veçmas dhe pa e penguar apo ndikuar procesin gjyqësor në zhvillim e sipër”, ka konfirmuar për Indeksonline zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.