Lokale - eSIMy

Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, ka reaguar pas rezultateve preliminare të balotazhit, të cilat e nxjerrin Shpejtim Bulliqin e VV-së fitues, raporton Llapi.info.

Ai në një postim në Facebook nuk e ka uruar Bulliqin për triumfin, ndërkohë që ka paralajmëruar rikthim më të fuqishëm të LDK-së.

“Të dashur qytetarë, Dua t’u falënderoj të gjithëve për pjesëmarrje në këtë proces zgjedhor. Unë ju kam shërbyer për vite me radhë në forma të ndryshme dhe bashkë kemi fituar shumë beteja, por këtë nuk arritëm. Pavarërisht kësaj, unë do të vazhdoi të jem pranë jush. Do të vazhdoi t’u shërbej, sepse kjo është në natyrën time. Ju premtoi të gjithëve që më kanë mbështetur se nuk do t’u braktis, por do të rikthehemi edhe më të fuqishëm. Përgjithmonë i juaji, Dr. Ekrem Hyseni”, ka shkruar Hyseni.

Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosja ka fituar garën e balotazhit për kryetar të Podujevës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare ku tashmë janë numëruar 100 për qind të votave, sipas të cilave kryetari aktual ka fituar 51.84 për qind të votave, apo saktësisht 20 mijë e 282 vota.

Në anën tjetër, Ekrem Hyseni nga LDK-ja ka marrë 48.16 për qind ose 18.845 vota./Llapi.info