Një rast i pazakontë i vjedhjes së një traktori është zbuluar nga Policia e Kosovës në komunën e Vitisë.

Viktima Metush Sahiti kishte raportuar më 27 maj 2025, se nga oborri i shtëpisë së tij në fshatin Gjylekar, i ishte vjedhur traktori i tipit “Internacional”, me ngjyrë të kuqe, kabinë dhe mbulesë të munguar në pjesën e motorit, së bashku me pajisje për mbjelljen e lakrës.

Hetimet e shpejta nga Njësiti i Hetimeve në Viti çuan në identifikimin e të dyshuarit – Bekim Rexhepi – i cili u intervistua në prani të avokatit dhe e pranoi vjedhjen.

Fatmirësisht, traktorin e kishte ruajtur dhe ishte në gjendje të mirë, andaj iu kthye menjëherë pronarit legjitim.

Prokurori kujdestar ka vendosur që i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është në trajtim penal për veprën “Vjedhje”.