Lokale - eSIMy

Mësimi në nivelin e arsimit parauniversitar nuk fillon më 13 shtator. Ky vendim u mor të premten në takimin virtual mes ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia dhe kryetarëve të komunave të Kosovës.

Megjithatë, prindërit konsiderojnë se duhet të bëhet diçka që fëmijët të mos mbesin në pauzë të gjatë me procesin mësimor.

Përveç për procesin mësimor, gjithashtu u bë e ditur se lejohen takimet vetëm deri në 20 persona duke mbajtur distancën 1.5 metra për çka kryetarët e komunave kërkuan që të lehtësohen masat për personat që janë të vaksinuar.

Sipas masave të reja që pritet të hyjnë në fuqi pas datës 13 shtator, institucionet publike do të punojnë vetëm me staf esencial, gastronomia vazhdon me masat e deritashme.

Ndërsa në pikat kufitare nga 13 shtatori personat mbi moshën 16 vjeçare janë të obliguar të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testet relevante si deri më tani. Qendrat kulturore dhe institucionet e kulturës në varësi të MKRS-ës dhe komunave i pezullojnë aktivitetet deri me 26 shtator, kurse masat tjera vazhdojnë siç kanë qenë në dy javët e fundit.