Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka bërë të ditur se pasditen e sotme kanë pranuar maska dhe doreza mbrojtëse nga Ministria e Shëndetësisë, pasi kjo komunë është në karantinë pasi dy persona, banorë të kësaj komune janë diagnostikuar me koronavirus.
Haliti ka thënë se kanë dyshime që personi 77 vjeçar ka infektuar edhe persona të tjerë, prandaj tha se janë duke i marrë të gjitha masat.
“Ne dyshime kemi se personi i infektuar ka rrezik që ka infektuar edhe të tjerë. Prandaj, po e shikojmë me kujdes situatën dhe i kemi marrë të gjitha masat. Ka filluar tash pas dite me i pru disa maska dhe disa dorëza, jo diçka tjetër. Ne aspektet tjera dezinfektuese e masa të tjera i kemi marrë vet si komunë që nga dje jemi duke punuar”, tha ai.
I pari i Vitisë, tha se si komunë kanë marrë të gjitha masat për të dezinfektuar hapësirat publike
“I kemi dezinfektuar objektet brenda, duke e përfshi edhe kishën e fshatit Stubëll, ku ka marrë pjesë pacienti në një meshë edhe objektet e tjera institucionale, emergjencën, QKMF-të, objektet administrative, stacionin e Policisë, po vazhdojnë mjetet e transportit publik me i dezinfektua. Jemi duke punuar në këtë drejtim që vërtet me marrë masa me e parandalua përhapjen”, tha ai.
Numri i të prekurve me koronavirus në vend ka shkuar në tre, ku dy persona janë nga Vitia, ndërsa një nga Klina me shtetësi italiane.






