Partia Social Demokrate ka njoftuar se nuk do të jetë më pjesë e ekipit shtetëror për bisedime me Serbinë.

Këtë vendim ata e kanë marrë pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se ky ekip është antikushtetues.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin për kompetencat dhe përgjegjësitë për dialogun, PSD ka marrë vendim që të dalë nga ky delegacion”, ka thënë anëtari i delegacionit deri sot, Visar Ymeri, njofton Klan Kosova.

“Përmes kuvendit dialogu do ta kishte legjitimitetin e vet demokratik. Dialogu sot është kthyer në duart e dy njerëzve – kryeministrit ose presidentit. Me aktgjykimin e sotëm dhe me parashtresën e LDK dhe Vetëvendosjes, Gjykata Kushtetuese tha se dialogun me Serbinë nuk mund ta drejtojë Kuvendi por kryeministri ose presidenti”.

“PSD duke pushuar së shërbyeri në delegacionin shtetëror do të mbajë qëndrimin e vet konstruktiv dhe do të kërkojë që procesi të vendohet në binarë demokratik, legjitim dhe transparent”.

Ymeri ka theksuar se PSD mban përgjegjësinë e vet për votimin e Ekipit Negociator, por ai ka thënë se përgjegjësinë që dialogu u kthye sot në duart e Presidentit Hashim Thaçi ose Kryeministrit Ramush Haradinaj, duhet ta marrin ata që e kanë çuar çështjen në Gjykatën kushtetuese.

“Secili individ e bartë përgjegjësinë për veprimet e veta. Edhe PSD për tentimin e vet që ta kthej këtë proces në binarë, por edhe subjektet që e ndalën këtë për ta kthyer në duart e dy njerëzve”.

Kurse për mjetet e ndara për ekipin dialogues ai ka pohuar se janë mjete të ndara nga Qeveria të cilat nuk janë shpenzuar të gjitha por që vetëm kanë qenë në dispozicion të delegacionit.