Lokale - eSIMy

Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi së bashku me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliu kanë vendosur sot gurë themelin e Qendrës së Aftësive Profesionale në këtë komunë, shkruan Llapi.info.

Me rastin e vendosjes së këtij gurë themeli, Abrashi tha se ky është një lajm i mirë për Komunën e Podujevës pasi që kjo Qendër do të ofrojë disa kurse në të cilat do të mund të aftësohen banorët e kësaj komune.

“Ky është një lajm i mirë për Komunën e Podujevës dhe për gjithë punëkërkuesit e Komunës së Podujevës. Në vazhdën e Aftësimeve Profesionale që jemi duke i instaluar në tërë Kosovën, tani kemi mbrri edhe në Podujevës. Qendra e Aftësimeve Profesionale këtu do të ofrojë disa kurse, por do të jemi korrekt do të jemi fleksibil dhe varësisht nga kërkesat që i kanë punëkërkuesit dhe të gjithë tjerët ne do të ofrojmë edhe kurse tjera. Ne do të fillojmë me IT, me parukeri dhe tekstil” tha Abrashi.

Sipas tij Podujeva tashmë veç se është bërë model për kultivimin e mjedrave dhe për këtë do të tentohet që kjo Komunë të futet edhe si model për aftësimin e kultivimit të tyre.

“ Podujeva tanimë veç ka marrë një emër të kultivimit të mjedrave dhe është bërë model për tërë Kosovën dhe ne tentojmë që edhe atë ta fusim që Podujeva të jetë model dhe të aftësime profesionale në kultivimin e mjedrave për tërë Kosovën. Kjo është diçka që ne veç fillojmë ta bëjmë. Por sidoqoftë ne sot kemi gurthemelin e një objekti i cili ka mbi 500 metra katrorë dhe do të ofrojë kushte të mira për aftësime profesionale për të gjithaq punëkërkuesit e Podujevës” tha ai.

Kurse i pari i Podujevës, Agim Veliu tha se duke pasur parasysh se kjo Komunë është me hapësirën më të madhe territoriale në Kosovë një Qendër e tillë është mese e nevojshme.

“Ky projekt për qytetarët e Podujevës, veçanërisht për nxënësit e shkollave profesionale është i një rëndësie të veçantë. Ne e mirëpresim fillimin e punimeve sot. Kjo ka qenë kërkesë e kahershme e Komunës së Podujevës duke pas parasysh se është Komuna më e madhe me hapësirë, është komunë që i nevojitet një qendër e tillë duke pas parasysh edhe numrin e madh të nxënësve” tha Veliu.

Sipas tij vendosja e këtij objekti në afërsi të shkollës së mesme teknike “Fan S. Noli” do të jetë më e lehtë si për nxënësit njashtu edhe për personelin të cilët shërbehen me këtë objekt.

“Ne kemi vendosur që këtë objekt ta ndërtojmë këtu në afërsi të shkollës së mesme profesionale dhe do të jetë edhe më e lehtë edhe për nxënësit edhe për personelit shërbehen me këtë objekt i cili besoj do të sjell të mira për ngritjen profesionale të nxënësve, të cilët e kanë marrë rrugën e ndjekjes së profesioneve çfarë ofron mundësi edhe ky objekt. E falënderoj ministrin për gatishmërinë që të ndajë mjete për fillimin e punimeve dhe besoj se punimet do të kryhen ashtu siç janë të parapara me dinamikën e përcaktuar” përfundoi ai./Llapi.info