Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet. Shtëpitë, bizneset e ndryshme në Kosovë dhe hapësirat tjera publike janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje.
Një rast i tillë është raportuar në fshatin Rimanishtë të Prishtinës, ku një mjet bujqësor është zhdukur pa lënë gjurmë nga oborri i një shtëpie, ndërsa pronari jeton jashtë vendit.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rreth orës 11:30 të datës 1 korrik 2025, në Polici është paraqitur B.S., rreth 51-vjeçar, i cili ka raportuar se më 29 qershor ka vërejtur që në oborrin e shtëpisë së kushëririt të tij H.S, mungon traktori i tipit IMT-588, me ngjyrë të kuqe dhe pa kabinë.
Sipas kallëzimit, dëshmitari e ka telefonuar kushëririn e tij në diasporë për ta njoftuar për mungesën e traktorit dhe ky i fundit e ka udhëzuar që të raportojë rastin në Polici.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, ndërsa me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.
Hetimet janë në vazhdim për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar autorin/ët e vjedhjes.