Një grua e aksidentuar me veturë në Bresje të Fushë Kosovës të martën, ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare.
Viktima ka ndërruar jetë të martën, në ditën e aksidentit, derisa po luftonte për jetë në QKUK, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës.
“Me datën 02.09.2025 viktima femër kosovare, e cila ishte duke u trajtuar në QKUK, ka ndërruar jetë. Viktima ishte aksidentuar me datën e cekur në rrugën nacionale Pejë-Prishtinë”, tha policia në raportin 24-orësh.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Aksidenti në të cilin u përfshi vetura ku ndodhej viktima ishte i tmerrshëm, bazuar në pamjet e publikuara nga një portal lokal të martën.
Vetura doli nga rruga magjistrale Prishtinë-Pejë, në fshatin Bresje të Fushë Kosovës. Policia tha se edhe një veturë tjetër ka qenë e përfshirë në aksident.
Pamjet tregojnë automjetin në të cilin ndodhej viktima të demoluar në shkallë të gjerë pas aksidentit.