Vitin 2018, Lëvizja Vetëvendosje po e cilëson si një vit për të cilin, duhet të kërkohet, që mos të përsëritet më kurrë.

Sipas VV-së, po përfundohet një vit për të cilin numërimi i skandaleve të qeverisë dhe presidentit e shndërruan në një hobi për shumicën prej nesh.

Nënkryetari i parë i kësaj partie, Besnik Bislimi, ka përmendur disa dështime të Qeverisë së Kosovës e që sipas tij, filluan nga demarkacioni e deri tek formimi i ushtrisë, sipas tij, pa buxhet.

“Një vit ku ditë për ditë e javë për javë na u tha që liberalizimin e kemi të sigurtë, meqë u treguam zemërgjerë me territor. Një vit ku si shtet dështuam me përpjekjet tona për anëtarësim në INTERPOL, dështuam me liberalizim dhe në vend të rritjes së numrit të shteteve që e njohin pavarësinë tonë, po përballemi me tërheqje të këtyre njohjeve. Një vit gjatë të cilit kriteri kryesor për matjen e të arriturave të qeveritarëve u bë shpejtësia e vrapit të kryeministrit dhe ecjet nëpër bjeshkë të presidentit. Dhe rritja e numrit të ministrave nën akuzë. Një vit ku 11 muaj dështime e skandale u përpoqën t’i mbulojnë me një simbolikë të riemërimit të forcës së sigurisë në një ushtri pa buxhet, me heqje të kushedi satës herë të kontrolleve të dyfishta doganore me Shqipërinë, dhe më taksën e vendosur për importet nga Serbia e BeH”, tha Bislimi.

Sipas tij, nëse i hedhet një sy publikimeve të agjencisë së statistikave të Kosovës, sheh se të dhënat mbi punësimin nuk janë të grupuara në seksionin e informatave për zhvillimin ekonomik.

Sa i përket punësimit në vend, Bislimi tha se ka rënie të dukshme të punësimit.

“Çfarë urimi mund të përcjellim për 72% të të punësuarve të cilët punojnë me kontrata afatshkurtëra, që mund të ndërpriten brenda ditës. Në ata 347.000 vetë që kanë patur fatin të kenë një vend punë sado të paqëndrueshëm, vetëm një e dhjeta janë nën moshën 24 vjeç. Nga 334 të rinj në moshën 15-24 vjeç, vetëm 1 në 9 prej tyre ka një vend pune. Çfarë urimi të përcjellim për këta të rinj, prej të cilëve pothuaj një e treta, e që janë rreth 100.000, nuk ishin as në shkollim, as punësim apo trajnim? Si duhet të binden ata që migrimi nuk është zgjidhje? Në Kosovë janë 45.000 të rinj që kërkojnë punë në vazhdimësi e nuk gjejnë. Prej tyre 1/3 ende pa mbushur 25 vite bëhen veteranë të papunësisë, meqë hynë në kategorinë e të papunëve afatgjatë. Ata bëhen të papunë strukturorë ende pa e filluar karrierën e tyre në treg të punës”, u shpreh Bislimi, raporton EO.