Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje po qëndrojnë në një vizitë katër ditore në Turqi me ç’rast ata kanë zhvilluar një takim me Ambasadorin e Kosovës në Turqi, Avni Saphiun, thuhet në njoftimin e tyre.
“Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i kryesuar nga kryetari Albin Kurti, deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryetari i Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia dhe asamblisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Arbër Vokrri po qëndrojnë në një vizitë katër ditore në Turqi”.
“Sot në mëngjes vizituan Ambasadën e Republikës së Kosovës në Ankara ku takuan Ambasadorin, Avni Spahiu dhe Atasheun Ushtarak, Bekim Osmani të cilët njoftuan delegacionin për aktivitetet e Ambasadës”.
Tutje, delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje ka takuar edhe Drejtorin e TIKA-s për Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, Mahmut Zütüh, të cilin e kanë falënderuar për kontributin që TIKA ka dhënë në disa sfera të jetës sociale në Kosovë.
“Më pastaj u takuan me Drejtorin e TIKA-s për Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, Mahmut Zütüh Çevik. Drejtori Çevik i informoi rreth aktiviteteve dhe projekteve që ka realizuar TIKA në Kosovë. Ai theksoi se janë rreth 600 projekte me vlerë rreth 35-40 milionë euro prej të cilave 260 projekte sociale ku hyjnë 150 projekte në fushën e edukimit dhe 60 projekte në shëndetësi”.
“Kryetari Kurti e falënderoi z. Çevik për mikpritjen dhe për projektet që ka realizuar TIKA në Kosovë. Kurti e njoftoj z. Çevik se këtë vit Kosova shënoi 20 vjetorin e çlirimit nga Serbia dhe shtoi se Kosova është vend i varfër edhe për shkak se okupatori serb ka kryer shumë vrasje e masakra, dhe ka shkaktuar shumë vuajtje e dëme”.

Kurti ka thënë se Turqia dhe Tika mund ta mbështesë Kosovën në zbutjen e papunësisë, veçmas tek arsimi professional dhe tek ekonomia prodhuese.
“Papunësia është shumë e lartë dhe na mungojnë investimet ekonomike, sidomos ato të cilat rrisin prodhimtarinë në Kosovë. Aty ku neve mund të na ndihmojë Turqia dhe TIKA në veçanti është lidhja e arsimit profesional me ekonominë prodhuese”.






