Lokale - eSIMy

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Podujevë, ka hapur sot fushatën zgjedhore me një aksion simbolik për shkak të gjendjes me COVID-19, raporton Llapi.info.

Hapja e fushatës është bërë në Bulevardin e Qytetit, ndërkohë që simpatizantë të kësaj partie kanë mbajtur pankarta me ngjyrë të kuqe me emrat e fshatrave të kësaj komune.

Kandidati për kryetar të kësaj komune nga ky subjekt politik, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se synimet e kësaj partie janë në tri shtylla kryesore; shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë.

“Sot LVV në Podujevë ka bërë hapjen e fushatës zgjedhore. Kemi një hapje të fushatës në mënyrë simbolike, për shkak se jemi brenda bazave rregullative të caktuar nga IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë që t’i respektojmë këto masa. Ne si Vetëvendosje hymë në këtë garë për t’i fituar këto zgjedhje. Gjatë kësaj periudhe nëntë mujore kemi treguar një qeverisje stabile. Një qeverisje e cila shquhet për një seriozitet në punë dhe në veprime konkrete. Shpresojmë që ta kemi besimin e qytetarëve për këto zgjedhje”, ka thënë Bulliqi.

“Synimet kryesore tona janë në tri shtylla. Në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë. Në shëndetësi do të bëjmë Spitalin e Përgjithshëm në Podujevë, i cili është synim kryesor. Do të krijojmë një fond të veçantë për fëmijët me autizëm. Në arsim do t’i thellojmë reformat që tashmë kanë nisur”, ka thënë ai.

“Në infrastrukturë, prioritet në mandatin 4-vjeçar mbetet ndërtimi i Stacionit të Autobusëve. Po ashtu krijimi i një tregu të gjelbër, i cili do të vendoset në vendin e tanishëm të Stacionit të Autobusëve”, ka thënë ai.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 17 tetorit ka nisur dhe do të zgjasë një muaj. Në garë për të parin e Podujevës janë gashtë kandidati nga parti të ndryshme./Llapi.info