Pas të reshurave të shumta të shiut e të cilat vërshonin disa familje të fshatit Repë, Lëvizja Vetëvendosje sot ka ndërmarr një aksion vullnetar për për hapjen e kanaleve dhe vendosjen e gypave, që do të mundësojnë rrjedhën normale të ujërave që grumbullohen nga malet përreth, raporton Llapi.info.
Banorët e këtij fshati kanë kritikuar organet komunale të cilat sipas tyre i vizitojnë ata vetëm në kohë fushate.
“Kjo është dashur të bëhet qe 20 vite. Por ata gjithnjë na kanë premtuar jo edhe katër vite, jo edhe katër vite, por asgjë. Sherri i votave hajt se mas katër viteve prapë i marrim votat. Ka premtu Agim Veliu vet me gojë të vetë. Ama veç çdo katër vite e më nuk është pa”, tha për Llapi.info Ukshin Rrustemi banor i fshatit Repë.
Edhe Fadil Rrustemi, banor i fshatit Repë pati po të njëjtat fjalë për qeverisjen lokale. U shpreh se sa herë që ka vërshime oborri i tij mbushet me zhavorr.
“Ju kemi tregu komunës por kot ka qenë. Çdo herë vinë para zgjedhjeve na thonë që asfaltin e keni por ju vetëm votat duhet me na i dhanë. Çdo herë që ka të reshura, si sivjet, ju kemi bërë apel komunës që ejani dhe këqyreni por asgjë. Çdo herë nëpër oborre kemi diku 10 deri në 15 kamionë me zhavorr prej të reshurave që i prujnë në shtëpitë tona”, u shpreh Rrustemi.
Kurse, nga Vetëvendosje thanë se ky aksion vullnetar, sipas tyre, është ndërmarr me qëllimin e vetëm që banorët e fshatit Repë të mos kenë më probleme me vërshimet.
“Banorët e fshatit Repë e kanë sensibilizuar çështjen e vërshimeve në këtë zonë. Ne me aktivistët që janë në këtë fshat dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje që janë në Llap kemi ndërmarr iniciativën që tu dalim në ndihmë këtyre banorëve në mënyrë që problemi i këtyre banorëve të jetë i evidentueshëm apo të reduktohet maksimalisht e gjithë kjo që në shtëpitë e këtyre banorëve të mos ketë më vërshime, që në shtallat e tyre të mos vërshohen. Një pjesë e tyre blegtorinë e kanë si veprimtari jetësorë. Dhe këto vërshime të evidentohen maksimalisht . është aksion vullnetar i VV- së dhe bëhet me të vetmin qëllim që banorët e kësaj zone të mos kenë probleme kur ka vërshime.”, tha Driton Hyseni aktivist i Vetëvendosjes.
Ky aksion sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes ka kushtuar rreth 400 euro.
Kujtojmë, se disa lagje të këtij fshati kohë më parë ishin vërshuar nga të reshurat e shiut të cilat kishin depërtuar deri në shtëpitë e tyre./Llapi.info










