Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në Prizren, Fushë Kosovë dhe Junik për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Fillimisht, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, njoftoi ditë më parë se do të vazhdojë “rrugëtimin drejt ndryshimit” bashkë me kandidaten e AAK-së në këtë komunë, Vildane Latifi.
“Vazhdojmë rrugëtimin bashkë drejt ndryshimit! Na priftë e mbara”, ka shkruar Prebreza, duke publikuar edhe një fotografi të përbashkët me Latifin.
Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, LVV-ja dhe AAK-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi edhe në komunën e Junikut.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i degës së AAK-së në Junik, Leonard Llolluni, i cili tha se marrëveshja është rezultat i vullnetit të përbashkët për të bashkuar forcat “në dobi të qytetarëve dhe për krijimin e një qeverisjeje lokale stabile, transparente dhe të përgjegjshme”.
Sipas Llollunit, dy subjektet janë zotuar që, pas fitores në balotazh, të fokusohen në zhvillimin ekonomik të komunës, përkrahjen e bujqësisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e institucioneve komunale.
“Marrëveshja shënon një hap të rëndësishëm drejt një kulture të re bashkëpunimi politik në Junik, me synimin për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve,” theksoi Llolluni, duke shtuar se “kur ka vullnet dhe vizion të përbashkët, bashkimi bëhet për të mirën e përbashkët.”
Në po të njëjtën ditë, LVV-ja nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me AAK-në edhe në komunën e Prizrenit.
Kështu të paktën ka bërë të ditur kandidati i LVV-së për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi, nëpërmjet një postimi në platformën sociale Facebook, i cili në balotazh do të garojë kundër kryetarit aktual të Prizrenit, Shaqir Totaj, nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Sot, në Prizren, Lëvizja Vetëvendosje! – Qendra në Prizren, e përfaqësuar nga unë si kryetar, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e përfaqësuar nga kryetari z. Besnik Krasniqi, nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për të ndërtuar një qeverisje të drejtë, transparente dhe zhvillimore për qytetin tonë,” ka shkruar Abrashi.
Ky bashkëpunim, sipas Abrashit, ka vetëm një qëllim: “T’i shërbejmë qytetarëve të Prizrenit dhe të garantojmë që çdo projekt, çdo investim e çdo vendim të jetë në dobi të komunitetit tonë. Bashkë, me përkushtim dhe përgjegjësi, do të punojmë për: zhvillim ekonomik e infrastrukturor, arsim e rini, qeverisje të hapur dhe llogaridhënëse,” ka shtuar ai.
LVV-ja do të mbështesë AAK-në kundër LDK-së në balotazhin në Junik.
Ndërsa AAK-ja do të mbështesë LVV-në kundër PDK-së në balotazhin në Prizren.
Ndërkaq, LVV-ja në Fushë Kosovë do të marrë mbështetjen e AAK-së kundër LDK-së.






