Lëvizja Vetëvendosje ka filluar sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 6 tetorit në sallën sportive “Minatori” në Mitrovicë, njofton Klan Kosova.
Të pranishëm në këtë ceremoni janë Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga kjo parti dhe kandidatët për deputet dhe përkrahësit e këtij subjekti.
Faruk Mujka, kandidati për deputet nga kjo parti është ai i pari i cili e filloi fushatën, ai deklaroi se ndjehet i lumtur që është përball të gjithëve që i quan dashamirës.
“Ju faleminderit për mikpritjen. Jemi në këtë tubim në Mitrovicën e lënë pas dore, në Mitrovicën bujare e cila është në harresë. Jemi në Mitrovicën e Isa Boletinit, Meh Ukës, Artim Jasharit, Fetime Hetemi dhe shumë burrave dhe grave të cilët dhanë jetën për liri”.
“Në Mitrovicën e minatorëve të Trepçës të cilët dikur e ndërtuan Kosovën, por tani atyre nuk mundeni t’ua sigurojmë pagat në krahasim me punën që kanë”.
Liburn Aliu, kandidati për deputet nga kjo parti gjatë fjalimit të tij tha se ka ardhur dita që në Kosovë të ketë ndryshim.
“Qytetarë të Mitrovicës erdhi dita, zemra është duke e thënë këtë fjalë, pasi erdhi dita që jemi duke e pritur të gjithë, erdhi dita që kemi punuar bashkë të gjithë, pas të gjitha përpjekjeve”.
“Erdhi dita që të ndodh ndryshimi në këtë vend që pritet prej shumë vitesh nga qyetarët e Kosovës. Kjo është dita e qytetarit”, tha Aliu.