Lokale - eSIMy

Prej ditës kur është hapur afati (30 gusht) deri sot në orët e mëngjesit Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka pranuar mbi 15 mijë aplikacione nga diaspora për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që pritet të mbahen më 6 tetor të këtij viti, shkruan Llapi.info.

Kështu ka bërë të ditur në mbledhjen e sotme të KQZ-së Enis Halimi, i cili është kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror Zgjedhor.

Se diaspora është mobilizuar, mund të vërehet edhe në disa fotografi të cvilët i kanë postuar në rrjetet sociale.

Ata, e që në kushte anonimiteti i kanë thënë se janë përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje, janë mobilizuar që të mbledhin sa më shumë vota për zgjedhjet e 6 tetorit.

“Vetë i 5-ti. Direkt me postë”, shkruan njëri prej bashkatdhetarëve.

Se Vetëvendosje ka mbështetjen e mërgimtarëve, mund të vërehet edhe nga shkrimi i deputetes shqiptare në Kantonin e Cyrihut, Qendresa Sadriu, e cila i ka kushtuar një shkrim të shkurtër zgjedhjeve nacionale që do të mbahen më 6 tetor.

Sipas saj ndryshimi në Kosovë vjen me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndryshe, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, ku periudha e aplikimit ka qenë vetëm 8 ditë, në zgjedhjet e 2019-s periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës do të jetë gjithsej 12 ditë.

Në këtë drejtim, për të aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës kanë mbetur vetëm edhe një ditë deri në përfundim të afatit zyrtar./Llapi.info