Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në një konferencë për media, ka thënë se seanca e jashtëzakonshme për të votuar ekipin negociator është shtyrë me kërkesë të iniciuesit, kryeministrit Ramush Haradinaj.

“I kemi 63 deputetë, kemi pasur kushte për të filluar seancën, kanë mbaruar edhe debatet, por e pranoj që nuk i kemi pasur votat. Në pjesën e votimit propozuesi ka bërë kërkesë që të kemi një shtyrje. Kjo është situata reale në të cilën jemi”, ka thënë Veseli, transmeton Koha.net.

Veseli i është kundërpërgjigjur shefit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili përmes Facebookut ka thënë se ekipi negociator mund të jetë vetëm në interes të realizimit të agjendës së Beogradit për copëtimin e Kosovës.

“E kisha lut Avdullah Hotin që të mos përdor aso gjuhe. Nuk ka mbetur Avdullah Hoti që ta mbrojë Kosovën dhe ne ta copëtojmë”, ka thënë Veseli.