Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka takuar një grup studentësh me nevoja të veçantë. 3 dhjetori është edhe Dita Ndërkombëtare e Personave me nevoja të veçanta.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se shoqëria jonë mund të mburret me zhvillimin e saj vetëm atëherë kur tregon kujdes dhe trajtim të barabartë për këtë persona.
Ai ka shpërndarë edhe një letër që ata ia kanë dorëzuar atij, e që është një mesazh për të gjithë shoqërinë.
“Shoqëria jonë nuk mund të mburret me zhvillimin e saj nëse personave me nevoja të veçanta nuk ua ka dhënë kujdesin e duhur dhe trajtimin e barabartë. Sot, në ditën ndërkombëtare të tyre, me studentë nga kjo kategori diskutuam për sfidat dhe nevojat që ata kanë. E tashmja dhe e ardhmja e vendit është përgjegjësi e secilit prej nesh dhe vetëm puna e përbashkët e zhvillon edhe më shumë atë. Këtu, po e ndaj me ju, një letër që mora sot nga njëri prej këtyre studentëve”, ka shkruar ai.