Me rastin e 21 vjetorit të çlirimit të Kosovës, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka takuar të rinjtë të cilët janë fëmijë  të dëshmorëve, martirëve e veteranëve në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.

Organizimi ka filluar nën intonimin e flamurit në shenjë nderimi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë që po e gëzojmë sot.

Me këtë rast, Veseli deklaroi se nuk është e lehtë për një bashkëluftëtarë të dëgjoj këto rrëfime nga fëmijët e dëshmorëve.

Nga aty, Veseli tha se është emocionale të festohet dita e Çlirimit në qendër të Prishtinës në mesin e heronjve.

“Nuk është e lehtë për një bashkëluftëtarë me dëgjua këto dhimbje por edhe krenari. Për çdo herë duhet të jemi krenar sepse i kemi takuar kombit tonë për drejtësi pavarësi e liri dhe keni qenë ushtria çlirimtare e Kosovës. Është emocionale ta festojmë luftën e çlirimit mu në qendër të Prishtinës, ku së shpejti do të ngritët shtatoren “Adem Jashari” dhe ku përball kemi shtatoren e heroit “Zahir Pajaziti””, tha ai, raporton EO.

I pari i PDK-së, ka falënderuar ShBA-në dhe NATO-n për mbështetjen e dhënë për lirimin e vendit.

“Falënderojmë ShBA-në dhe flamujt e NATO-s që na ndihmuan për liri. E dini se secili prej jush paraqitni fatin e kombit tonë. Është histori dhimbjesh, sakrificës por edhe krenari për shtetin tonë. Prindërit e juaj i dolen përballë Serbisë, u burgosen, dolën në demonstrata, dhe dhanë jetën për liri. Ndihuni krenar me veprën e prindërve tuaj”, tha ai.

Veseli kërkoi nga të rinjtë të luftojnë për me të mirën e vendit, për të ardhmen e tyre të ndritshme, pa korrupsion.

“Duhet të jetoni në shtetin qe prindërit tuaj kanë ëndërruar, me zhvillim ekonomik, pa korrupsion me vende të reja të punës e në një Kosovë të zhvilluar. Me fuqi të ndërmarrësve të të rinjve, më pak procedura e me pak tatime. Ne mundemi dhe do ta bëjmë, të ndryshojmë, zhvillojmë se bashku Kosovën tonë”, u shpreh Veseli.

Arbnore Zogiani vajza e dëshmorit Zen Zogianit ka rrëfyer momentet emocionuese të cilat i ka kaluar me babin e saj, i cili është zhdukur në luftën e fundit të cilit ende nuk dihet se ku i gjendet trupi.

Ajo tha se ndihet krenare që ma ka dhënë këtë epitet që po e gëzon sot si vajza e dëshmorit.

Berat Rexhepi djali i dëshmorit Beqir Rexhepi kërkoi nga gjithë bashkëmoshatarët e tij që ta ruajnë amanetin e dëshmorëve.

Ai iu drejtua Veselit se vetëm ai e dinë më mirë ta dërgojë këtë amanet në vend.

“Të gjithë jemi e njëjta kategori, të gjithë kemi derdhur gjak. Ta ruajmë amanetin e tyre që me gjakun  e tyre e ujiten dhe ndërtuan shtetin. Fytyrën e babit kurrë nuk do ta harroj kur me tha kthehu në shtëpi se do të shihemi së shpejti. Je njëri ndër themeluesit e parë të UCK-së, kush më mirë e dine se ti amanetin e baballarëve me qu në vend”, tha ai.