Kreu i Kuvendit, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, e ka cilësuar veprim të ngutshëm dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave veriore të Kosovës, ndërsa ka ftuar të gjithë qytetarët e veriut për vetëpërmbajtje, për një reagim të qetë dhe të ekuilibruar ndaj situatës së krijuar ditëve të fundit .
Sipas tij, këto dorëheqje janë të dëmshme për qytetarët e këtyre komunave si dhe për klimën e marrëdhënieve mes komuniteteve në Kosovë.
“Dorëheqja e katër kryetarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës është një vendim i ngutur dhe i dëmshëm për qytetarët e këtyre komunave si dhe për klimën e marrëdhënieve mes komuniteteve në Kosovë. Ftoj të gjithë qytetarët e veriut për vetëpërmbajtje, për një reagim të qetë dhe të ekuilibruar ndaj situatës së krijuar ditëve të fundit”, ka thënë Veseli në reagimin e tij.
Shefi i Kuvendit ka theksuar se Kosova është e angazhuar që të respektojë të drejtat dhe interesat e çdo shtetasi të saj, prandaj, sipas Veselit, problemet duhet të zgjidhen në mënyrë të matur dhe vetëm nëpërmjet rrugëve politike dhe dialogut.
“Kosova gjithashtu do të vazhdojë të bëjë maksimumin për të përmirësuar bashkëjetesën ndëretnike brenda vendit dhe për të konsoliduar stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajon”, ka shkruar ai në Facebook.