Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se askush më mirë se PDK nuk e mbron tokën e Kosovës.
Veseli në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se nuk është për luftë me Serbinë derisa kjo e fundit nuk e shkel territorin e Kosovës.
“Preferoj më shumë dialogun me Serbinë. Mjaft jam plakur, por nëse vjen puna besoj se do të luftojë si i ri kur isha kundër Serbisë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
I pari i PDK-së thotë se është kundër shkëmbimit të territoreve pasi sipas tij Kosova do të humb shumë.
Veseli thotë se për shkak të papërgjegjësisë ndaj qytetarëve tri qeveri janë rrëzuar.
Ai thotë se këto qeveri nga papërgjegjshmëria lanë qytetarët pa viza duke përmendur demarkacionin dhe taksën ndaj Serbisë.
Kryetari i PDK-së thotë se Kurti i ka bërë shumë dëme Kosovës në një periudhë shumë të shkurtër qeverisëse.