Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, ka qëndruar sot në Dragash.

Partia Demokratike e Kosovës do të shënojë fitore bindëse me 6 tetor, kjo pasi është e vetmja parti që nuk flet po vepron.

Kështu ka deklaruar në Komunën e Dragashit kandidati për kryeministër nga kjo parti Kadri Veseli.

Ai tha se janë të vetmit që kanë vizion, program e platformë në rrugëtimin euroatlantik.

“Më 6 tetor do të jetë një fitore bindëse e PDK-së. Nuk kanë pse me u çuditë askush, nuk kanë pse për t’u çuditur për faktin se qytetarët po e dinë se jemi të vetmit që nuk flasim por veprojmë, jemi të vetmit të cilët kemi vizion, kemi program e platformë për rrugëtimin tonë euroatlantik. Ne nuk fyejmë, ne nuk shajmë, ne merremi me problemet të cilat i ka Kosova dhe do t’i zgjedhim ato një për një me vendimet të cilat do t’i marrim që nga data 7 tetor, ne do të jemi bashkë për të mos u ndarë, për t’i hapur një perspektivë Kosovës tonë. Kushdo që është për Kosovën euroatlntike, kushdo qe është për ekonominë e prodhimit, për Kosovën e fuqishme bashkë me ShBA-të dhe partnerët le ti bashkohet vizionit të PDK-së”, tha Veseli.

Ai premtoj se në qeverisjen e tij do të përkrahen të rinjtë e vendit, inovatorët, fermerët.

Veseli tha se i gjithë fokusi do të jetë në fuqizimin ekonomik të vendit.

Fokus sipas Veselit, do ta kenë Kosovën e bashkuar drejtë integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“6 tetori është dita e kthesës historike për Kosovën, 6 tetori është koncepti i ri i vizionit euroatlantik, e cila e zhvillon Kosovën nuk e izolon, e cila e bashkon Kosovën nuk e ndan, e cila e mban Kosovën më afër ShBA-ve dhe Bashkimit Evropian, e jo konfrontim me ta. Ky është vizioni ynë i cili është vizion i perspektivës, vizion i çdo qytetari”, tha ai.

Pretendenti për kryeministër në Dragash u shpreh se kur fiton PDK, fiton Kosova, e sipas tij, kur është e fortë Kosova e dobët është Serbia.

Veseli i ka ftuar qytetarët e Dragashit që të përkrahin Ilir Kurtishin, që sipas tij është një kandidat që do t’i ndihmojë të gjithë qytetarët pas zgjedhjes së tij si deputet.

Përkrahje për vete dhe shefin e tij ka kërkuar kandidati për deputet nga PDK dega në Dragash, Ilir Kurtishi.

Ai tha se në Kosovë ka probleme të ndryshme, e sipas tij të gjitha këto probleme mund të zgjidhen në PDK dhe Kadri Veseli.

“I vetmi njëri që ka guxim dhe mundësi për të pasur suksese është Kadri Veseli. Kryeministri Veseli është i vetmi lider i cili deri sot nuk la qenë në detyrën e kryeministrit, prandaj Kadri Veseli duhet, do të jetë dhe duhet të jetë kryeministri ynë i të gjithë qytetarëve të Kosovës pavarësisht bindjeve politike apo përkatësive etnike. Pra, Kadri Veseli do të jetë kryeministër jo pse Kadri Veseli ka dëshirë të luftoje për karrierë, por sepse Kosova ka nevojë për Kadri Veselin si kryeministër, ka nevojë për ndryshime, ka nevojë për zhvillim”, tha ai, raporton KP.

Kandidati për kryeministër nga PDK, Kadri Veseli, përveç Dragashit, sot do të mbajë takime edhe me qytetarët e Zhurit dhe të Hasit.