Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në ditën e tretë të fushatës zgjedhor, mbajti takim elektoral me qytetarët në Ferizaj, ku nga këtu lideri i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër Kadri Veseli i dha fjalën kryetarit të kësaj komune Agim Aliut se pas 6 tetorit çdo iniciativë të tij do ta përkrah, ndër to edhe për projektin për ndërtimin e urës mbi hekurudhën e këtij qyteti.

Ai foli edhe për kampin e ushtarëve amerikanë “Bondsteel” në Ferizaj, i cili tha se Kosovës ende i duhet fuqishëm partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Veseli po ashtu tha se 6 tetori do të jetë referendum për Republikën e Kosovës.

“6 tetori do të jetë një ditë kritike, 6 tetori do të jetë referendum për Republikën e Kosovës dhe për qytetarët e saj, të cilin drejtim, do ta zgjedh një qeveri, e cila është perëndimore, e cila mban të fuqishëm Kosovën, njerëzit e Kosovës të cilët nuk i ndan i bashkon dhe të rinjtë e të rejat i orienton në pjesën e fuqizimit ekonomik, ndërmarrësisë, inovacionit”, deklaroi Veseli.

Veseli po ashtu tha se duhet që të parandalohet koalicioni i mundshëm LDK-VV, sepse sipas tij, është një koalicion që sjell izolim dhe nuk e lufton korrupsionin.

“(PDK)Për aq sa e mban edhe Kosovën bashkë me partnerët ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët perëndimor evropian, e lufton korrupsionin dhe nepotizmin, ose një qeveri e një koalicioni i cili mendon ngushtë dhe vetëm izolim Kosovës dhe jo perspektivë, e thellon edhe më shumë korrupsionin dhe nuk e lufton këtë, e ai koalicion është Mustafa – Kurti. Kjo nuk duhet t’i ndodhë Kosovës”, theksoi ai.

Kryetari i degës së PDK-së, Agim Aliu, tha se Kosova vetëm me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Kadri Veselin ecë përpara.

“Kush ka guximin dhe vendosmërinë e Kadri Veselit për ta ndërtuar këtë shtet. Kush ka dijen dhe ndjeshmërinë për t’i lënë trashëgim pasardhësve Kosovën e zhvilluar përpos Kadri Veselit. Kush ka forcën e argumentit që zë vend në çdo vesh e zemër të qytetarit pos Kadri Veselit. E pa dyshim, asnjëri nuk e ka mbështetjen e miqve ndërkombëtar e liderëve perëndimor përpos një emri, ngadhënjimtarit të 6 tetorit, kryeministrit Kadri Veseli”, deklaroi Aliu.

Kandidatët për deputet nga PDK-ja në Ferizaj, janë Bajrush Xhemajli, Elmi Reçica, Mexhide Mjaku Topalli, Mustafa Grainca dhe Gazmend Bytyqi.