Lokale - eSIMy

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli u ka bërë përsëri thirrje partive politike që ta nënshkruajnë paktin kundër korrupsionit.

Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka thënë se të gjithë duhet të pajtohen për gjërat themelore para zgjedhjeve, e që sipas tij është lista pa njerëz me aktakuza, shkruan lajmi.net.

Andaj, Veseli u ka bërë thirrje përsëri partive politike që ta nënshkruajnë këtë pakt.

Ky është postimi i plotë i tij:

Të gjithë ne duhet të pajtohemi për gjërat më themelore, siç është hyrja në këto zgjedhje me lista të kandidatëve pa aktakuza dhe zotimi për krijimin e qeverisë së ardhshme me njerëz të pakomprometuar. Qytetarët presin vepra e jo fjalë dhe ne duhet të vendosim një standard të ri etik.

Kjo është arsyeja pse unë prezantova sot Paktin Kundër Korrupsionit dhe ftova të gjithë liderët e partive që ta nënshkruajnë dhe zbatojnë. Dhjetë pikat e tij shërbejnë për të rinovuar besimin e qytetarëve te politikanët, duke dëshmuar se jemi serioz dhe të sinqertë në luftën kundër korrupsionit.

Kjo nuk është luftë e një njeriu dhe as e një partie, por duhet të jetë e të gjithë neve. U bëj thirrje liderëve partiakë që ta nënshkruajnë këtë pakt, sepse kjo luftë është më e madhe se interesat partiake dhe konfliktet personale.