Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, po zhvillon takim me një delegacion francezo-gjerman që përbëhet nga zyrtarë të Parisit dhe Berlinit të cilët kanë ardhur në Kosovë për të diskutuar për përgatitjet e Samitit të Parisit dhe për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

Bashkë me kryeparlamentarin, në këtë takim po marrin pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe dy bashkëkryesuesit e Ekipit të Dialogut – Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Burime brenda takimit bëjnë të ditur për Klan Kosovën se Veseli ka kërkuar nga delegacioni i Francës dhe Gjermanisë agjendë të qartë europiane për Kosovën.

Veseli po ashtu ka kërkuar nga mysafirët që Gjermania dhe Franca të marrin vendim të shpejtë dhe të drejtë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërsa ka theksuar se Kosova nuk do të pranojë asnjë kusht tjetër pasi i ka plotësuar të gjitha kriteret.

“Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara. Madje më shumë se secili vend i rajonit. Tani është radha juaj që të merrni vendimin e duhur dhe qytetarëve tanë t’iu hiqen vizat”, ka thënë kryetari i Kuvendit gjatë këtij takimi, sipas burimit të Klan Kosovës brenda takimit.

Ndërsa duke folur për Samitin e Parisit i cili pritet të mbahet më 1 korrik, i pari i Kuvendit ka thënë se pret një udhëzues më të qartë pas Samitit të Parisit për të gjitha çështjet.

“Çdo marrëveshje finale Kosovë-Serbi duhet të jetë e bazuar në Kushtetutën e Kosovës. Nuk do të pranojmë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe marrëveshje që cenon sovranitetin e Kosovës”, ka thënë Veseli gjatë takimit.

Gjatë takimit me delegacionin francezo-gjerman, kryeparlamentari ka folur edhe për iniciativën e tij për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë.

Ai ka thënë se mijëra civilë të pafajshëm janë vrarë dhe masakruar nga forcat paramilitare të shtetit serb dhe edhe pas 20 vjetësh drejtësia nuk i ka gjykuar kriminelët.

Andaj, siç mëson Klan Kosova nga burime brenda takimit, Veseli ka thënë se Tribunali është i pashmangshëm dhe do të ndodhë, ndërsa ka theksuar se drejtësia vetëm sa i kontribuon paqes së qëndrueshme mes dy popujve dhe Ballkanit Perëndimor.