Lokale - eSIMy

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, pasi Ambasadori Grenell, demantoi për përmbajtjen e telefonatës me zyrtarët amerikanë të Shtëpisë së Bardhë.

Nëpërmjet një shkrimi në Twitter, Veseli ka thënë se ndihet i tronditur që Kryeministri i Kosovës po jep informacione të rreme për seriozitetin e synimeve të SHBA-së.

“Jam i tronditur që Kryeministri i Kosovës po jep informacione të rreme për seriozitetin e synimeve të SHBA-së. PDK vlerëson punën e Ambasadorit Grennell për të arritur një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe është e përkushtuar në përpjekjet e SHBA-së për paqen në Ballkan”, ka shkruar Veseli.


Erzen Vraniqi, këshilltar i Kurtit, të mërkurën përmes një shkrimi në Facebook, kishte njoftuar rreth telefonatës së Kurtit me Ambasadorin O’Brien dhe Ambasadorin Grenell, duke thënë se është marrë vesh që ndihma nga SHBA-ja nuk do të ndalet dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë.

Ndërkaq Grenell ka reaguar ndaj këtyre deklaratave, duke i quajtur të pavërteta.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ne i kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për të mbajtur tarifat edhe pjesshëm janë duke dëmtuar ekonominë e Kosovës – dhe SHBA’ja nuk do t’i çonte dëm ndihmat tona nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë”, ka shkruar Grenell në Twitter.