Kryeministri Kurti, bashkë me ministrin Murati po qëndrojnë për vizitë në Japoni, në kohën kur Kosova është në javën e pestë të grevës. Numri dy i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, sot tha se “vërtetë greva është zgjatur shumë”, derisa shtoi se “Qeveria nuk është e gatshme të bëjë asnjë lëvizje”. Deklarata e tij u interpretua si mundësi që grevës t’i jepet fund pasi 318 mijë nxënës janë ata që po humbin më së shumti. Por, kjo nuk është definitive pasi ata paralajmërojnë konsultime në nivel të Kosovës me të gjithë grevistët.

Nënkryetari i Sindikatës së Arsimit, Ymer Ymeri, sot tha, se nëse nuk tërhiqet ‘hiç’ Qeveria, atëherë do të konsultohen me anëtarësinë për hapat e mëtutjeshëm.

Përmes kësaj deklarate, Ymeri dha sinjale se SBASHK-u mund të heq dorë nga kërkesa që mësimdhënësve t’i jepen nga 100 euro shtesë deri në miratimin e ligjit për pagat.

“Nëse Qeveria nuk tërhiqet hiq, ne do të konsultohemi me anëtarsinë se çka me vepru tutje për shkak se vërtetë u zgjat greva shumë dhe sipas të gjitha gjasave po shihet se Qeveria nuk është e gatshme me ba asnjë lëvizje. Duhet të konsultohemi me anëtarësinë por kjo mbetet kompetencë e këshillit Grevist të BSPK-së për shkak se edhe shërbyesit civilë janë në grevë dhe koordinimi duhet të jetë patjetër me ta për çfarëdo vendimi që të merret”, tha ai për Gazetën Blic.

Ymeri shtoi se “krejt çfarë të vendosë anëtarësia ne do të jemi zëri i tyre por gjasat nuk janë të pamundura edhe vetë anëtarësia me pa se nuk ka zgjidhje dhe me ba zgjidhjen vetë”.

Por, një ndryshim i qëndrimit, deri më tani, nuk është parë nga Qeveria ose Ministria e Arsimit, të cilët i ofruan 50 euro.

Derisa SBASHK-u po vazhdon grevën, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti po qëndron në Japoni për të marrë pjesë në funeralin shtetëror të ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe.

Të dileën, Kurti i acaroi më shumë grevistët duke i quajtur përfaqësuesit e tyre “sindikalistë të PAN’it”, ata i reaguan duke i thënë se kur bënin greva në kohën e qeverive tjera Kurti i përkrahte.

Për zgjidhjen e këtij kaosi, ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami dhe kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, kanë dalë me propozime.

Propozimi i ish-ministres Bajrami

Të dielën, ish ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, doli me një propozim- zgjidhje në mënyrë që greva të ndalet.

Ajo i kërkoi SBASHK-ut që të pranojë ofertën e Qeverisë për shtesën prej 50 euro, ndërsa Qeverisë i rekomandoi që Ligji për Pagat të zbatohet që nga 1 janari i vitit 2023.

Sipas Bajramit, nëse ky ligj nuk hyn në fuqi në fillim të vitit tjetër, duhet që të planifikohet buxhet që shtesa prej 50 euro të vazhdojë deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji.

Ndërsa, nga Qeveria Bajrami ka kërkuar që të mos zbatojë ndëshkime në paga, për muajin shtator.

Bajrami, dje në emisionin “Frontal” të T7 zbërtheu këtë propozimin derisa shtoi se mund të bëhet një përshpejtim. Ajo tha se “kemi ligje që brenda ditës i kemi kaluar në të dy leximet”.

“Ligji i pagave është ligj kompleks. Këtë duhet ta pranojmë. Por Qeveria ka pasur kohë një vit kohë”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së tha se për t’u arritur një zgjidhje për ndaljen e grevës “kërkohet vullnet politik, ulje në një tavolinë, qoftë me ndërmjetësim të palëve të tjera”.

Propozimi i Ardian Golës

Një propozim e dha edhe kryetari i Komisionit për Arsim, deputeti nga radhët e VV-së, Ardian Gola, mirëpo jo për ndaljen e grevës, por vetëm për zëvendësim të metodës aktuale të grevës.

Sipas Golës, greva e tanishme mund të zëvendësohet me përdorimin e mekanizmit të mos-notimit të nxënësve, si presion ndaj Qeverisë.

Gola thotë se duhet të ndërrohet mënyra e presionit për plotësimin e kërkesave, në mënyrë që të mbahet edhe mësimi dhe qeveria në të njëjtën kohë të bëjë përpjekje për të gjetur një zgjidhje.

Ky propozim u hodh poshtë nga SBASHK-u, derisa Gola në “DPT te Fidani” ka thënë se refuzimi i SBASHK është kategorik dhe i barrikaduar.

Ai e ka quajtur të çuditshëm refuzimin e SBASHK nëpërmjet takimit online që e kishin këtë mbrëmje.

“Është refuzim kategorik, i pamëdyshje dhe goxha do të thoja i barrikaduar. Ne mund ta kontestojmë metodologjinë si i kanë mbledhur ato të dhëna. Një refuzim goxha i çuditshëm i propozimit aspak politik, aspak taktizues, por të sinqertë”, ka deklaruar ai.

Më 25 gusht, SBASHK-u hyri në grevë. Kërkesë e tyre është shtesa prej 100 euro në çdo muaj derisa të hyjë në fuqi Ligji për Pagat. Deri më tani janë zhvilluar disa takime, por ende Sindikata dhe Qeveria nuk kanë arritur pajtueshmëri. Grevën e kanë “tradhtuar” disa shkolla, mirëpo numri i tyre është i vogël. /GazetaExpress/