Për të përcjellë situaten e krijuar pas vërshimeve, të cilat ndodhën ditëve të fundit si pasojë e reshjeve të mëdha, kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka vizituar sot disa lokalitete të prekura nga këto vërshime, njofton Llapi.info.
Gatë vizitës në fshatrat Bellopojë dhe Dumosh, kryetari Bulliqi është interesuar për dëmet që u janë shkaktuar banorëve nga vërshimet dhe për nevojat që janë shfaqur.
Kryetari tha se sot gjendja është stabile dhe tashmë uji në shumë vende është kthyer në shtretërit e lumenjve.Kryetari Bulliqi tha se bazuar në vizitat dhe raportimet nga tereni është konstatuar se ekzistojnë disa faktorë që kanë ndikuar të shkaktohen vërshimet.
“Bazuar në informacionet e terenit, krahas daljes nga shtrati të përrockave dhe rritjes së nivelit të lumenjve, vërshime janë shkaktuar edhe si pasojë e ngushtimit të shtretërve të tyre dhe nga mbyllja e kanaleve të ujërave atmosferike”, tha Bulliqi.
Bulliqi tha se në disa fshatra janë vërshuar tokat bujqësore si pasojë e ujërave sipërfaqësore të grumbulluara nga reshjet e shumta.
“Si komunë do të ndërmarrim masa që të intervenohet në sanimin e kanaleve të mbyllura atmosferike dhe në vendet ku janë ngushtuar shtretërit e lumenjve dhe përroskave”, tha kryetari Bulliqi gjatë vizitës në këto fshatra.
Ndërsa, Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve, i ngritur nga komuna e Podujevës, është në terren dhe po merret me evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve në ekonomitë familjare dhe në tokat bujqësore./Llapi.info








