Të reshurat e dendura të shiut kanë vërshuar edhe disa pjesë të fshatit Bellopojë të Podujevës, njofton Llapi.info.
Sipas banorëve të kësaj pjese, lumi Batllava ka dalë nga shtrati, me ç’rast edhe ka përmbytur kulturat bujqësore në këtë anë.
Ata për Llapi.info kanë treguar se janë dëmtuar të mbjellat, derisa kanë fajësuar Komunën e Podujevës për mos-rregullimin e shtratit të lumit.
Duhet theksuar se reshjet e vazhdueshme të shiut kanë krijuar vështirësi në qarkullim nëpër shumë rrugë të vendit, ndërkohë që në rrugën Orllan-Batllavë këtë mesditë ka pasur edhe rrëshqitje gurësh.
Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka mundësi që disa pjesë të Kosovës të përballen me vërshime për shkak të reshjeve të mëdha që kanë filluar mëngjesin e sotëm.
Siç ka njoftuar IHMK, pjesët të cilat janë më të rrezikuara nga vërshimet është lumi Llap, Prishtina me rrethinë dhe pjesa veriore dhe lindore e Kosovës./Llapi.info