Lidhja Demokratike e Kosovës do ta përkrahë Qeverinë e koalicionit PDK-AAK-Nisma, lidhur me temat e mëdha që e presin vendin. Ata do t’i mbështesin tryezat e thirrura për t`i diskutuar tema të rëndësishme për vendin. Por, e gjithë kjo do të bëhet me kushtin që në këto tryeza të caktohet edhe data e zgjedhjeve.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka thënë për Indeksonline se Qeveria nuk e ka shumicën dhe si e tillë nuk i ka mbetur legjitimitet që të qeverisë më tutje.

“Nuk po them që munden me pas sukses, por e kam pa një vullnet dhe nuk mund të prejudikoj. Së paku ka vullnet me i adresu temat e mëdha. Mund ta them qëndrimin e LDK-së, është që ne sigurisht do t`i përkrahim këto tema dhe do ta ndihmojmë Qeverinë nëse ajo ka vullnet me ecë përpara me këto çështje me i zgjidhë sa më shpejtë, mirëpo ne dëshirojmë edhe datën e zgjedhjeve kur do të jenë. Nëse ne e përkrahim, dëshirojmë që të dimë kur është koha sepse kjo Qeveri nuk ka shumicë dhe si pakicë që ka mbetur nuk ka legjitimitet me qeverisë më tutje”, ka thënë ai.

Më tej, Veliu ka bërë të ditur se pas LDK-së dhe PDK-së, radhën e ka Lëvizja Vetëvendosje që të ftojë tryezën e ardhshme.

Mirëpo, duke marrë parasysh që ky subjekt injoroi takimin e thirrur nga Kadri Veseli, ekziston mundësia që tryezën ta fton ndonjë subjekt tjetër nëse hasin në injorim të partisë së Albin Kurtit.

“Ne bazë të radhës i bie Vetëvendosjes me e thirrë, por ata të martën nuk ishin prezent. Ne u morëm vesh që me e formu njëfarë grupi për përgatitjen e takimit të radhës me tema sipas prioritetit të cilat janë edhe pastaj do shohim nëse Vetëvendosja ka vullnet me e ftu mirë, nëse jo, do të kalojmë te një subjekt i radhës”, është shprehur Veliu.

Ai ka shtuar se në takimet e mbajtura ka parë një vullnet politik për të arritur një konsensus lidhur me temat e rëndësishme që e presin Kosovën si shtet.

“Ne jemi marrë vesh me vazhdu me tryeza ende. Ekziston njëfarë vullneti edhe i partive politike parlamentare edhe i koalicionit me arritur njëfarë konsensusi për sa i takon disa temave të mëdha për Kosovën dhe nëse ky vullnet ecë shpejtë ne mund të vazhdojmë derisa t`i konkretizojmë. Por nëse eventualisht shohim se kjo është veç sa për të marrë kohë, ne prapë do t`i shqyrtojmë pozicionet tona. Pastaj do të vendosim për rrugët e tjera”, ka thënë Veliu.