Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i ka reaguar një deklarate së paraardhësit të tij, Xhelal Sveçla, që e akuzonte për keppërdorim në procedurat me tenderë.
Veliu shkroi se Sveçla duhet të japë llogari për hyrjen në dhomën e përgjimeve dhe për kasafortën ku gjendeshin dokumente të klasifikuara që thotë se e la të hapur pasi doli nga zyra, njofton Klan Kosova.
“Xhelal Sfeçla me shokë, në vend se të turpërohet që la qytetarët e Kosovës pa targa dhe pa dokumente të tjera personale, po bën përpjekje dëshpëruese, të shoqëruara me gënjeshtra, me qëllim të manipulimit të opinionit publik për këtë proces”.
“Njeriu, i cili gjatë qëndrimit të tij në MPB, nuk kreu asnjë punë përveç që dha leje të lëvizjes për dostat e tij, në vend se të jap llogari për hyrjet në dhomat e përgjimeve dhe për kasafortën ku gjendeshin dokumente të klasifikuara që e la të hapur kur doli, gjen kohë dhe pa fije turpi del në një emision dhe hedh akuza për procedura e tenderë, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me mua”.
Veliu shkroi se procedura e prokurimit për “Furnizim emergjent me targa të automjeteve” nuk bëhet në baza mujore, ndërsa çmimi i tyre caktohet në bazë të targave për njësi.
“Furnizimet emergjente me targa janë me çmime më të lira, krahasuar me kontratën e rregullt të vitit 2016, pra është i pavërtetë pretendimi se procedurat e tjera kanë çmimin tri herë më të shtrenjtë”.
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes procedurës së hapur ka iniciuar aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me targa të automjeteve” në vitin 2018.
“I njëjti aktivitet është në procedurë ankimore dhe në bazë të legjislacionit në fuqi, Autoriteti Kontraktues nuk mund të iniciojë dy aktivitete të prokurimit për të njëjtën çështje në të njëjtën kohë”.