Sot mbushen 20 vjet nga Beteja e Llapashticës, betejë në të cilën ranë heroikisht 10 dëshmorë të Llapit.
Gjatë Betejës së Llapashticës, më 24 dhjetor 1998, nga radhët e UÇK-së ranë për të mos vdekur kurrë dëshmorët e kombit: Isa Havolli, Ismet Dërguti, Skender Zenjullahu, Miftar Zenjullahu, Lulzim Jashari, Bajram Murati, Avni Selmani, Fatmir Selmani, Remzi Demolli dhe Jetullah Kastrati.
Për këtë 20 -vjetor Komuna e Podujevës ka organizuar një manifestim, të udhëhequr nën patronatin e të parit të Podujevës, Agim Veliu, e që morën pjesë Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, shoqata të dala nga lufta, pjesëmarrës të luftës së Tabeve të Llapashticës, e qytetarë të tjerë.
Në një fjalim rasti, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu tha se në këtë betejë mbrohej populli i tërë.
“Kur po përkujtojmë 20-vjetorin e betejës së Tabeve të Llapashticës, kujtojmë njërën nga ngjarjet e rëndësishme në kalendarin e historisë tonë. Trimat e Llapit në 24 dhjetorin e viti 1998, në Tabet Llapashticës, nuk po mbronin vetëm Llapin, e as nuk po luftonin vetëm për Kosovën. Në njërën nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tabet e Llapshticës po mbrohej populli tërë dhe po i jepej një goditje të fortë armikut shekullor, në luftën për çlirimin e Kosovës. Pjesëmarrësit e kësaj beteje, jo vetëm që treguan rezistencën e trimëri të jashtëzakonshme, por edhe u bënë shembull i qëndresës dhe heroizmit në luftën çlirimtare”, tha Veliu, transmeton Llapi.info
Veliu shtoi se kjo betejë tregon se si luftohet kundër një armiku numerikisht të madh.
“Duke qenë se treva e Llapit shtrihet në pjesën verilindore dhe në një vi kufitare prej 100 kilometrash me Serbinë, luftëtarëve tanë i ra hise që të kenë përballjet e para dhe më të egra me forcat armike që po zbarkonin në Kosovën e viteve 90’ta. Beteja e Tabeve të Llapashticës ishte shembulli më i mirë se si luftohet kundër një armiku numerikisht shumë të madh dhe i pajisur me një makineri të sofistikuara ushtarake. Mirëpo, duke ndjekur shembullin e një nga komandantët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, dhe dëshmorëve të tjerë, luftëtarët, trimat e Llapit me heroizmat e treguar i hapën rrugën lirisë së vendit dhe i dhanë vulë luftës për çlirim”, tha tutje Veliu.
Më tej, Veliu tha se lufta për çlirimin dhe lufta për atdhe duhet të jetë inspirim për zhvillimin e vendit.
“Në këtë betejë, heroikisht ranë 10 luftëtarë trima të UÇK-së të cilët me aktin e tyre përjetësuan ëndrrën e tyre për liri. Kjo akademi shpërfaq, kujtesën tonë nacionale dhe besimin e nderimin në drejtësinë e luftës dhe qëndresës sonë. Lufta jonë për liri e kishte çmimin e lartë të sakrificës dhe flijimit. Lufta për çlirimin dhe lufta për atdhe duhet të jetë inspirim për të gjithë ne që po punojmë për zhvillimin dhe përparimin e vendit tonë”, shtoi ai.
Krejt në fund të fjalimit, Veliu tha se edhe në Gjykatën Speciale do të vërtetohet pastërtia dhe drejtësia e luftës së UÇK-së.
“Këto ditë është aktuale edhe një temë që ka të bëjë me luftën tonë çlirimtare, e që është fillimi i funksionalizmit të Gjykatës Speciale, pavarësisht që kjo do të jetë një sfidë dhe sakrificë tjetër për bartësit e luftës çlirimtare. Ne besojmë se edhe përballë kësaj Gjykate Ndërkombëtare do të dëshmohet dhe vërtetohet pastërtia e luftës së drejtë të UÇK-së, do të dëshmohet se historikisht populli i Kosovës ka bërë vetëm luftë çlirimtare për të arritur te liria dhe pavarësia. Kosova sot ka institucionet demokratike dhe synon përmbushjen e aspektit formal të shtet-ndërtimit. Miratimi që Kosovën e bënë me Ushtrinë e saj, forcimi i institucioneve të drejtësisë, krijimi i një administrate funksionale dhe ngritja e cilësisë në arsim, shëndetësi e fusha tjera, i hap rrugë integrimit dhe anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO në OKB dhe mekanizma tjerë ndërkombëtarë”, ka thënë Veliu.
Para kësaj akademie janë bërë homazhe në Kompleksin memorial të dëshmorëve në Penuhë, në lagjen e Kastratëve në Obrançë dhe te lapidari “Tabet e Llapashticës”./Llapi.info