Lokale - eSIMy

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu,  ka thënë se asnjëherë nuk do të largohet nga LDK, përkundër që siç ka thënë ai, lidershipi i kësaj partie e ka përjashtuar atë nga dega e Podujevës, shkruan Llapi.info.

Në RTV Dukagjini, Veliu ka mohuar kategorisht zërat se ka ndihmuar Vetëvendosjen e Bulliqin në zgjedhjet e 14 nëntorit, ndërkohë që ka thumbuar ekipin e ish-kandidatit të LDK-së për kryetar të Podujevës, Ekrem Hysenit.

“Kryesia e LDK-së s’e ka pasur asnjë arsye që ta marrë një vendim të tillë. Me këtë vendim lidershipi i LDK-së, degën e LDK-së në Podujevë e ka nxjerrë nga legjitimiteti. Nga një degë unike është bërë e përçarë. Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorët e kanë obligim që të bëjnë veprimin për unifikimin e LDK-së. Përndryshe, nëse nuk merret diçka në këtë drejtim, do të ketë akoma më shumë përçarje, pasi janë lënë disa zyrtarë jashtë. Siç janë, Nexhmi Rudari, Visar Hoti, Mirsad Kamerolli, Vezir Januzi, Faik Muçiqi, Hamdi Jaha, etj…”, ka thënë ai.

Veliu ka theksuar se fajtori për humbjen e LDK-së në Podujevë është tek kandidati dhe kryetari Lumir Abdixhiku.

“Ekrem Hyseni e ka bërë një distancim të pashembullt ndaj punës 30 vjeçare të LDK-së. Ai nuk ka qenë në gjendje për asnjë projekt të flas në paraqitjet e tij, të cilat janë të me mijëra në Podujevë. Ai është distancuar prej LDK-së. Ekipi i ri i tij, kush ka qenë në këtë ekip, është për keqardhje nga njerëzit që e kanë rrethuar. Grupi tij kanë qenë kryesisht shoferë, “bodyguardë”  dhe ndonjë anëtar i kryesisë së më hershme, njerëz që kanë lejuar të luajnë me dinjitetin e tyre. Asnjë ftesë nuk e kam pas nga askush. As nga kryetari e as nga kandidati. As nga shtabi për të marrë pjesë në ndonjë tubim. Ka pasur zëra se Agim Veliu nëse vjen në tubime, i humbim zgjedhjet. Po e them me përgjegjësi morale, asnjë veprim Agim Veliu s’e ka bërë në favor të Shpejtim Bulliqit dhe të Vetëvendosjes”, ka thënë Veliu./Llapi.info