Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar sot 29 vjetorin e themelimit në Podujevë.

Kryetari i degës së LDK-së, Agim Veliu në këtë përvjetor ka përmendur punësimet partiake që sipas tij, po bëhen nga administrata shtetërore.

Ai ka thënë se LDK është e vetmja parti e cila e ngritë Kosovën në një vend normal ku sipas tij, nuk duhesh të kesh dajë kryeministrin për të gjetur një vend pune.

“LDK është forca e vetme që mund ta ngritë Kosovën në një shtet normal ekonomikisht të zhvilluar, me shëndetësi e arsim cilësor. Ta bëjmë Kosovën vend normal, kur nuk duhet ta kesh kryeministrin dajë për të gjetur një vend pune në administratë shtetërore a ndërmarrje publike. Kosova ka nevojë për përtërije jo vetëm figurave politike, por edhe konceptesh politike”, ka thënë ai.

Përderisa, Veliu thotë se nuk duhet të kesh dajë kryeministrin për të gjetur vend pune në sektorin publik, ai si duket ka harruar se ka dy persona të familjes të punësuar në poste publike më kohën sa qeveriste LDK.

Bëhet fjalë për nusen e djalit dhe djalin e tij, të cilët kanë dy pozita mjaft të mira në sektorin publik.

Shkumbin Veliu, djali i Agimit ishte ‘rehatuar’ në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përkatësisht në pozitën e zyrtarit të lartë në Divizionin për Hartimin dhe Harmonizimin e Legjislacionit.

Ai në këtë pozitë u sistemua kur LDK-ja e udhëheqte shtetin, përkatësisht në kohën kur Isa Mustafa drejtonte Qeverinë dhe LDK-ja këtë ministri.

Pos djalit, Agim Veliu kishte arritur të punësoj edhe nusen e djalit, Metije Jashari, e cila mban mbiemrin e vajzërisë, shkruan indeksonline.

Ajo ishte rehatuar në PTK, të cilën Agim Veliu po e kritikon për punësime partiake.

Reja e Veliut ishte punësuar në bordin e drejtorëve në vitin 2015 në kohën e udhëheqjes së LDK-së.