Qytetarët e Podujevës ditët e fundit janë duke u përballur me reduktime të gjata me energji elektrike, shkruan Llapi.info
Këto reduktime kanë shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët e sidomos te pronarët e bizneseve të ndryshme.
Lidhur me ndërprerjet e shumta të energjisë elektrike që janë duke u bërë në Podujevë, ka reaguar sot përmes një postimi në ‘Facebook’ i pari i Podujevës, Agim Veliu.
“Jam i shqetësuar me gjendjen e krijuar ditëve të fundit, ku qytetarët e Podujevës dhe fshatrave po përballen me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike dhe pa ndonjë orar nga KEDS-i.
Ndërprerja e energjisë elektrike po e vështirëson jetën e qytetarëve në këto ditë të ftohta.
Po ashtu, reduktimet po shkaktojnë probleme të mëdha edhe për bizneset llapjane, me ndërprerje në punë e prodhimtari dhe duke u shkaktuar dëme në pajisje elektrike”, ka shkruar Veliu.
Veliu përmes këtij reagimi, ka kërkuar nga KEDS-i që menjëherë të ndërmerr masat e duhura për normalizim të furnizimit me energji elektrike.
“Cilado qoftë arsyeja e ndërprerjeve të energjisë elektrike, kjo gjendje është e papërballueshme për qytetarët, institucionet (shkollat e ambulancat) në Komunën e Podujevës. Kërkojmë nga KEDS-i që menjëherë të ndërmerr masat e duhura për normalizim të furnizimit me energji elektrike në Komunën e Podujevës”, ka përfunduar Veliu./Llapi.info






