Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se sot ka takuar kryetarët e nëndegëve të partisë në Podujevë, komunë kjo ku LDK i humbi zgjedhjet pas 20 vitesh qeverisje, raporton Llapi.info.
Veliu në një postim në Facebook është shprehur i bindur që LDK do të konfirmohet si forca kryesore politike.
“Në dy takime të ndara, sot takova kryetarët e nëndegëve të LDK-Podujevë, ku kërkova rritje të angazhimit dhe mobilizim për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, në të cilat padyshim do të rikonfirmohemi si forca kryesore politike. Do të punojmë bashkë dhe duke i kanalizuar të gjitha kapacitetet tona për ta arritur fitoren e LDK-së dhe të Kosovës”, ka shkruar ai.
Ndryshe, LDK ka humbur bastionin e saj më të madh. Më 29 nëntor, pas 20 vitesh, LDK humbi zgjedhjet në Podujevë, për t’i dhënë kështu me dy duar pushtetin Vetëvendosjes. Kurse, zgjedhjet parlamentare priten të mbahen në fillim të vitit 2021, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi Qeverinë Hoti./Llapi.info






