Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm ka thënë se gjatë vitit 2019, Kosova ka arritur një progres të theksuar në luftën kundër abuzimit dhe trafikimit të paligjshëm të drogës.
“Tema e Ditës Ndërkombëtare 2020 kundër Abuzimit me Drogën dhe Trafikimin e Paligjshëm, “Njohuri më të Mira për Kujdes më të Mirë”, përqendrohet në nevojën për të përmirësuar të kuptuarit e problemit botëror të drogës, por edhe të nxjerrjes së njohurive më të mira për nxitjen e bashkëpunimit më të madh ndërkombëtar për të kundërshtuar ndikimin e tij në shëndet, qeverisje dhe në siguri”.
“Ditët ndërkombëtare janë raste për të edukuar publikun e gjerë për çështje shqetësuese, për të mobilizuar vullnetin politik dhe burimet në adresimin e problemeve globale, si dhe për të festuar dhe përforcuar arritjet e njerëzimit kundër këtij fenomeni të dëmshëm shoqëror”.
“Gjatë vitit 2019, Kosova ka arritur një progres të theksuar në luftën kundër abuzimit dhe trafikimit të paligjshëm të drogës. Ministria e Punëve te Brendshme mbetet edhe më tutje e përkushtuar për të vazhduar luftën e pakompromis kundër kësaj dukurie negative dhe për përkrahjen e të gjitha institucioneve relevante të zbatimit të ligjit në ketë drejtim”, ka thënë Veliu.