Një i burgosur ka vdekur në shtëpinë e tij gjatë shfrytëzimit të pushimit të vikendit
Nga këto hapësira të mbyllura, njëri nga të burgosurit në fundjavë iu bashkua familjes.
I burgosuri me inicialet M.M i lindur më 1981, që ishte i dënuar për veprën vjedhje e rëndë, nuk iu kthye më Qendrës Korrektuese në Smrekonicë.
Ai të premten u gjet i vdekur në shtëpinë e tij.
Kështu konfirmon Shërbimi i Korrektues i Kosovës.
“Për vdekjen e tij jemi njoftuar sot rreth orës 05:15 nga Policia e Kosovës. I burgosuri në fjalë, bazuar në legjislacionin në fuqi kishte të drejtë shfrytëzimi të beneficioneve dhe po shfrytëzonte dy ditë vikend të rregullt në shtëpi, nga 05.06.2019 deri më 07.06.2019”.
Gjatë muajit të kaluar, në burg vdiqën edhe dy të privuar nga liria.
Në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut thonë se vdekjet në këto hapësira zakonisht ngrisin dyshime.
Por ata kanë një kërkesë specifike për Shërbimin Korrektues të Kosovës.
‘’Kemi kërkuar ndërtimin e një spitali të përgjithshëm vetëm për burgjet…’’
Demolli thotë se spitalet aktuale në burgje ofrojnë vetëm shërbimet primare, dhe se nuk plotësojnë kushtet për shërbime tjera.
‘’Nuk kanë as staf të mjaftueshëm, as pajisje,…’’
Ndryshe, në Departamenti Shëndetësor i Burgjeve të Kosovës që vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, thonë se rasti i fundit nuk ka lidhje me burgjet sepse ka ndodhur jashtë hapësirave të shërbimit korrektues.
Milazim Gjocaj, shef i këtij departamenti në një përgjigje për Televizionin thotë se kushtet në hapësirat ku ofrohen shërbime për të burgosurit, plotësojnë të gjitha kriteret, përfshirë stafin e mjaftueshëm dhe furnizimin me barna.
Ndryshe, SHKK ka për obligim ofrimin e hapësirave të nevojshme për spitalet në burgje.
Në Policinë e Kosovës nuk kanë dhënë detaje për veprimet e mëtutjeshme në lidhje me rastin e vdekjes të së premtes.