Lokale - eSIMy

Vdekja e 23-vjeçarit nga Peja, Milor Belegut ka qenë e dhimbshme për trajnerin e skuadrës së futsallit FC Besa, Adnan Hysenin, i cili është bashkëpunëtor i afërt me babain e të ndjerit Afrim Belegun – po ashtu trajner në skuadrën e futsallit nga Peja.

Milor Belegu vdiq dje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ishte shtrirë prej tetë ditësh pas lëndimeve të marra në vendin e tij të punës në ndërtimtari.

Ndërkaq Adnan Hyseni, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se vdekja e Milor Belegut erdhi si pasojë e luftës së tij për ta fituar ndershëm bukën e gojës.

“E pabesueshme, e dhimshme dhe trishtuese lajmi për vdekjen tënde Milor Belegu. Vdekja jote në moshë të re erdhi si pasojë e luftës tënde për të fitu ndershëm bukën e gojës në këtë vend të brishtë ku për ta fitu ndershëm bukën e gojës duhet ta rrezikosh edhe jetën në vendin e punës”, ka thënë Hyseni.

Ai i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit, e në veçanti babait të Milorit, me të cilin bashkëpunon në sportin e futsallit.

“Ngushllime miku im e krahu i djathtë në klubin Besa në futsal Afrim Belegu për vdekjen e hershme të birit, inshalla Allahu i Madherishëm e ka dërgu në xhehnet”, ka shkruar Hyseni.