Punëtorët në Kosovë përballen me kushte shumë të vështira në punë. Përveç pagës së ulët, orarit të stërzgjatur, ata rrezikojnë edhe jetën e tyre, duke u detyruar të punojnë në vende shumë të rrezikshme, pa pasur asnjë masë sigurie.
Rasti i fundit ku një punëtor humbi jetën në vendin e punës ishte ai i të riut në Mitrovicë, Visar Behramit, 27 vjeçar. Ai e gjeti vdekjen derisa ishte duke punuar bashkë me disa punëtorë të tjerë në ish-hotelin ‘Adriatiku’ në Mitrovicë. Ku pas shembjes së një pjesë të hotelit, ai mbeti i ngujuar nën gërmadhat e këtij hoteli.
Trupi i tij i pajetë i të riut u nxor pas shtatë orësh kërkimesh nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, Policia dhe zjarrfikësit.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, për Telegrafin tha se punëtorët në Kosovë detyrohen të bëjnë punë të rrezikshme për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.
“Fatkeqësisht dje ka humbur jetën një djalë i ri 27 vjeçar, kushtet e rënda ekonomike e kanë detyruar atë të hyjë e të bëjë punë të rrezikshme. Ne gjithmonë kemi apeluar që te punët e rrezikshme të dihet se si të qaset, dhe punëdhënësi nuk duhet t’i lejojë punëtorët që të hyjnë në vende të rrezikshme. Duhet të shihen rreziqet para se të fillojnë”, deklaroi Ajdini për Telegrafin.
Kryetari i BSPK-së bëri thirrje që punëtorët të mos hyjnë në vendet e rrezikshme.
Ai gjithashtu tha se rastet kur punëtorët shkelen nga punëdhënësit duhet të hetohen nga Prokuroria e Shtetit.
“Duhet që dënimet të jenë më të mëdha, sepse punëdhënësit luajnë me ne sepse na kanë gjetur të varfër dhe abuzojnë me punëtorët. Këtu inspektorati i punës duhet të jap gjobën maksimale, dhe prokuroria duhet të ngre padi penale ndaj punëdhënësit, për shkak se ka bërë shkelje të punëtorëve, duke mos ia siguruar vendin e punës dhe duke ia rrezikuar jetën”, tha ai.
Kurse, zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Lirie Kajtazi (LDK), për Telegrafin numëroi disa arsyet pse punëtorët në Kosovë, nuk po i gëzojnë të drejtat e tyre dhe po shkelen vazhdimisht nga punëdhënësit.
“Kjo çështje po vazhdon të mos ketë zgjidhje, arsyetimet janë mungesë e mjaftueshme e inspektorëve të punës, por nuk është vetëm kjo. Kemi shumë raste edhe kur inspektorët hetojnë parregullsi, dhe nuk është drejtësia ajo që vendos në favor të punëtorëve. Një faj të madh e ka edhe politika, e cila nuk krijon ambiente pune dhe drejtësi për të gjithë. Politika po i trajton padrejtësisht, me gjithë kompleksitetin e punës, pagat e vogla dhe çështjet tjera”, deklaroi ajo.
E pyetur se a do të ndërmarrë ndonjë veprim Komisioni për të Drejtat e Njeriut, ajo tha se deputetë vetëm po vazhdojnë të debatojnë dhe të krijojnë rezoluta me efekt zero dhe se po të pyeten më vonë, ata nuk e dinë se çfarë kanë votuar.
Ndërkohë, rreth rastit së shembjes së një pjese të objektit të hotel “Adriatiku” ku humbi jetën i riu 27 vjeçar Visar Behrami, Policia ka ndaluar dy persona në stacionin policor në Mitrovicë, punëdhënësin dhe punëkryesin.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, prokurorja e rastit, Fetije Bajrami e cila theksoi se po ashtu në pyetje janë marr tre persona, të cilët cilësohen si dëshmitarë të këtij rasti.
“Mbrëmë janë ndaluar dy persona punëdhënësi dhe punëkryerësi. Tre dëshmitarë janë proceduar mbrëmë. Viktima është nxjerr pa shenja jete. Me urdhër të prokurorit viktima është dërguar për obduksion”, ka thënë Bajrami.
Visar Behrami, është varrosur sot, ndërsa kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, në nderim të tij, ka shpallur të martën ditë zie.