Lokale - eSIMy

Dhuna në familje po vazhdon të mbetet njëra nga dukuritë më shqetësuese në shoqërinë tonë.

Që nga janari i këtij viti e deri në muajin nëntor janë 42 raste të tilla të shënuara në këtë Komunë. Kështu ka thënë në Kuvendin Komunal, Luzlime Hasani nga Policia Rajonale e Podujevës në debatin për fushatën globale kundër dhunës në familje, raporton Llapi.info

Hasani për këto raste ka thënë se Policia vazhdimisht është duke e luftuar këtë dukuri, derisa thotë se edhe janë rritur rastet.

“Policia punon 24 orë në luftimin e kësaj dukurie. Por, që nga viti në vit edhe janë rritur rastet e dhunës në familje e që kryesisht viktima kanë qenë gratë dhe vajzat. Deri në nëntor të vitit 2018 janë 42 raste, kurse brenda tre viteve janë gjithsejtë 122 raste”, ka thënë ajo.

Hasani ka thënë se është rritur për 8 për qind dhuna në familje brenda tre viteve. Sipas saj, nga këto raste këtë vit viktima kanë qenë 33 femra, kurse meshkuj 6.

“Arsyet e dhunës në familje ndodhin kryesisht kanë qenë martesa e hershme, kushtet jo të mira ekonomike, rrjetet sociale, xhelozia e të tjera”, ka thënë ajo.

Sipas Hasanit, prej 42 rasteve me vendim të prokurorit janë ndalur pesë persona.

Ndryshe, dhunën në familje e ka dënuar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu. Ka thënë se dhuna vazhdon të jetë shkelje serioze e të drejtave të njeriut.

“Dhuna në familje dhe në bazë gjinore vazhdon të mbesin ndër shkeljet më serioze të drejtave të njeriut në botë duke përfshirë edhe vendin tonë. Kjo dhunë manifestohet përmes formave fizike e psikologjike. Në Kosovë viktima të dhunës në familje janë kryesisht gra, fëmijët dhe persona e moshuar”, ka thënë ai.

Veliu ka kërkuar nga institucionet përkatëse të punojnë në luftimin e dhunës dhe në parandalimin e saj./Llapi.info