Lokale - eSIMy

Ka vazhduar edhe sot protesta e zjarrfikësve në Podujevë, duke kërkuar largimin e shefit të kësaj njësie, Milaim Ajvazi, raporton Llapi.info.

Deri te protesta ka ardhur si rezultat, pasi që siç kanë thënë ata, Ajvazi ka bërë shkelje ligjore brenda kësaj njësie. Përkundër kësaj, ata po thonë se i njëjti është suspenduar përkohësisht nga puna, por prapë është rikthyer në pozitën e mëparshme.

Sipas tyre, Ajvazi nuk e kishte hequr nga lista e pagave një punëtor, edhe pse kishte munguar rreth tre vjet. I njëjti është paguar, ani pse pati emigruar në Gjermani. Kjo dhe shkelje të tjera kanë bërë që këta zjarrfikës të futen në grevë dhe protestë. Kështu pati thënë për Llapi.info edhe përgjegjësi i këtyre grevistëve, Ibush Salihu.

Salihu ka thënë se Shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve ishte dënuar dhe suspenduar për dy muaj, por që sërish është emëruar në të njëjtën pozitë. Sipas tij, shefi i njësisë së zjarrfikësve në këtë rajon ka bërë edhe shkelje të tjera të brendshme.

Siç mëson Llapi.info, protesta do zhvendoset nesër përpara objektit të Komunës së Podujevës, duke filluar nga ora 08:00 dhe do të vazhdojë deri në ora 10:00.

Mirëpo, në lidhje me këto akuza, Shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve në Podujevë, Milaim Ajvazi, pak javë më parë i ka thënë portalit Llapi.info se për punëtorin që ka munguar në punë, sipas tij, është zëvendësuar nga një koleg i tij. Ajvazi pati theksuar se janë organet e drejtësisë ato që vendosin për t’u kthyer në pozitën e punës.

Llapi.info pati raportuar në lidhje me këtë çështje edhe vitin e kaluar. Në një seancë të Kuvendit Komunal, këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica, pati akuzuar se tre vjet një punëtori në Brigadën e Zjarrfikësve në Podujevë, që pati emigruar në Gjermani, siç ka thënë Llapashtica, i pati ecur paga në xhirollogari pa punuar fare.

Llapashtica pati thënë se për këtë kanë qenë në dijeni edhe zyrtarë komunalë. Këta të fundit nuk e patën pohuar, por as mohuar këtë, gjersa kanë shtuar se kjo çështje ka qenë në procedurë ligjore./Llapi.info