Gjatë dy ditëve të ardhshme, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, mbi vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe re të shpërndara.
Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 29-33 gradë Celsius.
Sipas IHK, pjesa jugore e kontinentit dhe jugperëndimore do të mbetet nën ndikimin e masave të fuqishme të ajrit afrikan, të cilat do të ndikojnë që merkuri në termometër të regjistrojë vlera mbi 40 gradë Celsius. Kjo situatë termike do të zgjasë 4-6 ditë.
Te ne temperaturat do të rriten pas 3-4 korrikut. Sa i përket fushave barike, ato janë dhe do të mbeten të larta, për disa milibar mbi vlerat e normales.
Indeksi UV edhe më tej mbetet shumë i lartë, prandaj preferohet respektimi i këshillave të alarmuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare.