Ylli i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka insistuar se ai nuk mund të krahasohet me Lionel Messin, duke i refuzuar kështu spekulimet se ai ishte i zhgënjyer që nuk e fitoi çmimin e FIFA-s për lojtarin më të mirë të vitit në botë.

Virgil Van Dijku u radhit vetëm pas Lionel Messit të Barcelonës në garën për t’u shpallur lojtari më i mirë i vitit në botë, ndërsa sulmuesi i Juventusit dhe Portugalisë, Cristiano Ronaldo, mbeti i treti, transmeton Gazeta Express.

Nominimi i qendërmbrojtësi holandez erdhi pas triumfit të tij me Liverpoolin në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, kur Van Dijku ishte shpallur lojtari më i mirë në finalen e fituar të Liverpoolit kundër Tottenhamit.

Qendërmbrojtësi tha se nuk ka asnjë mënyrë se si ai mund të krahasohet me Messin, i cili i shënoi 51 gola në të gjitha garat gjatë sezonit 2018/19.

“Njerëzit që votuan e morën vendimin dhe duhet ta pranojmë atë. Kështu është dhe, si lojtarë, askush nuk mund të na krahasojë mua dhe Messin sepse është plotësisht e ndryshme. Jam shumë krenar që jam këtu”, tha Van Dijku, i cili u zgjodh në formacionin më të mirë të vitit.

“A jam i zhgënjyer? Nuk mund të jesh i zhgënjyer. Unë jam thjesht shumë i lumtur që jam këtu, që jam në skuadrën e vitit, pas të gjithë punës që e bëmë vitin e kaluar”.

“Sot, fatkeqësisht, unë nuk fitova, por unë s’jam i zhgënjyer”.

Liverpooli do të përballet me MK Dons në Carabao Cup të mërkurën, para se ta vizitojë Sheffield Unitedin në Premierligë, tre ditë më vonë.